Mësimdhënësit e ShFMU `Pavarësia` në protestë, dy orët e para pa mësim
Gentiana Kelmendi/RTKlive
Pas incidentit të së hënës në ShFMU “Pavarësia”, Shoqata Sindikale e Shkollës, Këshilli Drejtues dhe Këshilli i Prindërve kanë reaguar përmes një deklarate të përbashkët, duke njoftuar se më 10 shkurt dy orët e para mësimore nuk do të zhvillohen, për shkak të mbajtjes së një proteste nga mësimdhënësit.
Shoqata Sindikale e ShFMU “Pavarësia”, Këshilli Drejtues i Shkollës dhe Këshilli i Prindërve kanë njoftuar se më 10.02.2026, në ora 08:00, të gjithë mësimdhënësit do të jenë të pranishëm në shkollë, por dy orët e para mësimore nuk do të zhvillohet mësim, për shkak të mbajtjes së një proteste.
Sipas njoftimit, procesi mësimor do të vazhdojë rregullisht pas përfundimit të dy orëve të para, përkatësisht nga ora e tretë, sipas orarit të rregullt. Ndërrimi i pasdites do ta zhvillojë procesin edukativo-arsimor normalisht, sipas orarit të paraparë.
"Qëllimi i kësaj proteste është reagimi kundër veprimeve delikuente të nxënësve në procesin edukativo-arsimor, duke përfshirë dhunën fizike, fyerjet, ofendimet dhe sharjet ndaj mësimdhënësve", thuhet në njoftim.
Sipas organizatorëve, këto veprime cenojnë rëndë autoritetin profesional, sigurinë dhe dinjitetin e mësimdhënësit, si dhe dëmtojnë mbarëvajtjen e procesit mësimor.
Nga ShFMU “Pavarësia” theksohet se ky nuk është një rast i izoluar, por një fenomen shqetësues që po shfaqet në shumë shkolla. Përmes kësaj proteste, ata synojnë të ngrisin zërin kundër këtij fenomeni dhe të kërkojnë angazhim serioz institucional dhe shoqëror për ta parandaluar dhe trajtuar me përgjegjësi.
Ndryshe, gjatë ditës është raportuar se një rast i dhunës në shkollën fillore “Pavarësia” në Prishtinë është duke u trajtuar nga Policia dhe Prokuroria, ku është iniciuar rast penal për “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare”, ndërsa i dyshuari, arsimtar, është ndaluar për 48 orë.























