Grevë dyorëshe në shkollën “Pavarësia” pas arrestimit të një mësimdhënësi
BKT
Lajme

Grevë dyorëshe në shkollën “Pavarësia” pas arrestimit të një mësimdhënësi

Naser Mekolli /RTKlive

Shoqata Sindikale e ShFMU “Pavarësia”, Këshilli Drejtues i Shkollës dhe Këshilli i Prindërve, kanë mbajtur sot një grevë dyorëshe në shenjë proteste ndaj, siç u tha, sjelljeve problematike të disa nxënësve, një ditë pasi Policia e Kosovës arrestoi një mësimdhënës të kësaj shkolle nën dyshimin për ushtrim dhune ndaj një nxënësi.

Sipas mësimdhënësve të kësaj shkolle, videoja e publikuar në rrjete sociale paraqet vetëm fundin e ngjarjes dhe nuk pasqyron tërësisht rrethanat reale të incidentit të ndodhur dje në këtë shkollë.

Përfaqësuesi i shoqatës sindikale të shkollës, Ardit Ukaj, theksoi se dhuna nuk ka vend në institucionet arsimore, por se greva nuk ka për qëllim justifikimin apo mbrojtjen e saj, por ngritjen e shqetësimeve për sigurinë dhe dinjitetin e mësimdhënësve.

“Ne jemi kundër çdo forme dhune, fizike apo verbale, dhe ajo nuk mund të arsyetohet në asnjë rrethanë. Kjo grevë është reagim ndaj dhunës dhe sjelljeve që po cenojnë autoritetin dhe sigurinë e mësimdhënësit në procesin edukativo-arsimor”, tha Ukaj.

Ai shtoi se mësimdhënësit po përballen gjithnjë e më shpesh me fyerje, ofendime dhe nënçmime nga nxënësit, ndërsa mekanizmat ligjorë dhe disiplinorë aktualë nuk po ofrojnë zgjidhje efektive.

Edhe shoqata sindikale ka kërkuar një qasje më serioze dhe të koordinuar institucionale për trajtimin e rasteve të tilla, me qëllim krijimin e një ambienti të sigurt dhe profesional për zhvillimin normal të mësimit.

Shoqata sindikale ka kërkuar një qasje më serioze dhe të koordinuar institucionale për trajtimin e rasteve të tilla, me qëllim krijimin e një ambienti të sigurt dhe profesional për zhvillimin normal të mësimit.

Ymer Ymeri nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit ka kërkuar nga organet e drejtësisë shqyrtim urgjent të rastit. Ai ka kërkuar që të merren masa edhe ndaj prindërve që përdorin dhunë në shkollë dhe që mësimdhënësi të lirohet.

“Na vjen shumë keq që ka ndodhë kjo zënkë, por e keqja ma e madhe e kësaj është që ngjarja nuk është paraqitë në mënyrën e duhur krejt si është, po është marrë një pjesë nga fundi i ngjarjes pothuajse, edhe ajo pastaj është emituar në media”, ka thënë ai.


MË SHUME NGA Lajme