Konjufca: Akuzat ofendojnë në palcë luftën tonë çlirimtare
BKT
Lajme

Konjufca: Akuzat ofendojnë në palcë luftën tonë çlirimtare

Valmira Saraçi|RTKlive

Nënkryetari i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, ka bërë me dije se do të shkojë në Hagë dhe se do të jetë sërish atje në ditën përfundimtare.

Ai tha se akuzat do të dështojnë, pasi thotë se janë të paqëndrueshme, janë shpifje, janë gënjeshtra që e ofendojnë në palcë luftën çlirimtare.

“Prapë do të shkojë në Hagë , prapë do të jem atje në ditën përfundimtare, kam aplikuar të jem atje dhe do ta përfaqësoj shtetin e Kosovës. Unë pres që ky proces, këto akuza të dështojnë, janë të paqëndrueshme, janë shpifje, janë gënjeshtra që e ofendojnë në palcë luftën tonë çlirimtare. Dhe pikërisht pse do të dështojnë , unë mendoj që pjesëtarët e Shtabit të përgjithshëm, Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi do të dalin të pafajshëm”, tha Konjufca.

Konjufca tha se për sakrificën, për luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare, askush nuk mund tu hyjë në mes, as të partive politike, as popullit.

“Sepse populli e ka bërë luftën, dhe ato personalitete që i kemi në Hagë, ato kanë qenë në krye të luftës. Ne kemi luftuar për lirinë tonë dhe ata njerëz të cilët gjatë kësaj kohe të gjitha ato personalitete që ishin në krye të luftës, nuk kanë bërë krime, kanë qenë në krye të një ushtrie që ka qenë çlirimtare e që ka dhënë dëshmorët e saj. E ne jemi një popull që kemi dhënë martirët, kemi dhënë mbi 12 mijë të vrarë edhe fëmijë edhe gra shtatzëna, dhe kjo është e vërteta e historisë tonë. Kush do të ndryshojë këtë të vërtetë, kushdo që do të mundohet të goditë atë, unë mendoj që do të humbë. Dhe shpresoj e uroj që të gjithë ata që po gjykohen në Hagë do të dalin të pafajshëm”, tha ai.

 


MË SHUME NGA Lajme