Aktakuzë për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe mashtrim në prokurim publik
Emine Hoti/RTKlive
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj B.D., L.Z. dhe personit juridik “L.P.” SH.P.K., për veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”.
Sipas aktakuzës, B.D., në cilësinë e menaxherit të kontratës për “Renovimin e objektit të MBPZHR-së në Prishtinë” në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, gjatë periudhës 19 gusht – 31 dhjetor 2024, ka miratuar dhe vërtetuar pagesa për punime dhe largimin e inventarit që nuk ishin kryer sipas ligjit.
Ndërkohë, L.Z., përgjegjës i “L.P.” Sh.P.K., akuzohet se gjatë ekzekutimit të kontratës ka paraqitur fakte të rreme, duke deklaruar përfundimin e punimeve, edhe pse ato ishin kryer vetëm pjesërisht.
“Si rezultat i këtyre veprimeve, buxhetit të Kosovës i është shkaktuar dëm financiar prej 36,000 eurosh”, thuhet në njoftim .
Tutje thuhet se Prokuroria Speciale ka propozuar që ndaj të pandehurve shqiptohen dënime plotësuese, përfshirë ndalimin e ushtrimit të funksioneve në administratën publike dhe ndalimin e ushtrimit të profesionit ose veprimtarisë.























