MPB organizon Punëtorinë për Planin e Ri Kundër Terrorizmit
BKT
Lajme

MPB organizon Punëtorinë për Planin e Ri Kundër Terrorizmit

Emine Hoti/RTKlive

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) mbajti një punëtori për finalizimin e Udhërrëfyesit të Planit të Ri të Përbashkët të Veprimit për Parandalimin dhe Luftimin e Terrorizmit dhe Ekstremizmit të Dhunshëm në Ballkanin Perëndimor.

MPB përmes një komunikate njofton se punëtorinë e hapi shefja e Kabinetit të ministrit, Jeta Tela, e cila theksoi rëndësinë strategjike të këtij dokumenti për strukturimin e mënyrës së luftimit të terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, duke theksuar ndikimin e kësaj dukurie jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë.

“Me këtë rast, znj. Tela theksoi se ky dokument do të adresojë në mënyrë të qartë qasjen e Ministrisë së Punëve të Brendshme për luftimin e këtij fenomeni. Ajo ofroi mbështetjen e ministrit të MPB-së për anëtarët e grupit punues, në mënyrë që të gjitha adresimet që dalin nga ky dokument të kenë mbështetje institucionale për zbatim sa më efektiv”, thuhet në njoftim .

Sipas MPB-së, qëllimi i kësaj punëtorie ishte diskutimi dhe harmonizimi i prioriteteve strategjike, si dhe përfshirja e kontributeve institucionale në procesin e finalizimit të udhërrëfyesit për zbatimin e Planit të Ri të Përbashkët të Veprimit.

" Të gjithë pjesëmarrësit dhanë inputet e tyre për aktivitetet dhe rolin e institucioneve që përfaqësojnë, për t’i përfshirë në Udhërrëfyesin përfundimtar", thuhet në njoftim.

Punëtoria do të vazhdojë me sesione të tjera, ku do të përcaktohen pesë objektiva strategjikë, që do të ofrojnë orientim të qartë për veprimet në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.


MË SHUME NGA Lajme