Tërmet në Kosovë, epiqendra në afërsi të Prizrenit
Medina Pasoma / RTKlive
Një tërmet është ndjerë sonte në Kosovë rreth orës 22:00. Sipas Qendrës Evropiane për Monitorimin e Tërmeteve (European-Mediterranean Seismological Centre – EMSC), epiqendra ka qenë 19 kilometra larg Prizrenit, me një magnitudë 4.9.
Tërmetet me magnitudë 4.0–4.9 konsiderohen të lehta deri mesatare, ndihen nga popullsia, por rrallë shkaktojnë dëme serioze.
Lëkundjet e tokës janë ndjerë edhe në vendet fqinje, përfshirë Shqipërinë, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Drejtori i Institutit Sizmologjik të Kosovës, Shemsi Mustafa ka thënë se ka qenë tërmet me potencial të rrezikojë qytetarët.
“Tërmeti në fjalë është ndier dukshëm nga qytetarët e Kosovës. Ky sizmicitet kishte potencialin të rrezikon qytetaret dhe shkakton ndonjë dëm material për shkak të forcës se lart, njëherësh këto tërmete dëshmojnë për zonën sizmogjene të Prizrenit, që është zonë aktive, ashtu edhe sipas llogaritjeve dhe studimeve të paraqitura me Hartën e Rrezikut Sizmik për Kosovë”, ka shkruar Mustafa.
























