Dy skiatore nga Koreja e Jugut përjashtohen për përdorim të fluorurit
BKT
Sport

Dy skiatore nga Koreja e Jugut përjashtohen për përdorim të fluorurit

Fatmir Bytyqi/RTKLive

Skiatoret koreano-jugore Han Dasom dhe Lee Eui-jin janë përjashtuar nga Lojërat Olimpike Dimërore, pasi në pajisjet e tyre është gjetur një substancë e ndaluar që nga sezoni 2023/24.

Bëhet fjalë për fluorurin, një përbërës që përdorej në dyllin e skive për të rritur shpejtësinë dhe rrëshqitjen në borë, por që tashmë është i ndaluar nga rregulloret ndërkombëtare. Substanca nuk është gjetur në trupin e sportisteve, por në skitë e tyre, konkretisht në dyllin e përgatitur nga teknikët për garat në Lago di Tesero.

Për pasojë, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar dhe autoritetet përkatëse vendosën përjashtimin e menjëhershëm të dy garueseve, edhe pse ato nuk konsideroheshin pretendente për medalje.

Rasti ka rihapur debatin mbi përdorimin e substancave në materialet sportive dhe kufirin mes përgatitjes teknike dhe avantazhit të padrejtë. Fluori ka qenë për vite me radhë pjesë e përgatitjes së skive në nivelet më të larta të garave, për shkak të aftësisë së tij për të përmirësuar ndjeshëm rrëshqitjen në kushte të caktuara bore.

Sot, kontrolli nuk kufizohet vetëm te testet antidoping për sportistët, por është shtrirë edhe te pajisjet. Ekipet kombëtare investojnë ndjeshëm në këtë aspekt – për shembull, Italia disponon një kamion me mbi 500 lloje dylli dhe pomadash të ndryshme, të cilat përzgjidhen në bashkëpunim me sportistët, në varësi të kushteve të pistës dhe temperaturës.

Ky zhvillim tregon se beteja për ndershmëri në sportin elitar tashmë zhvillohet jo vetëm në organizmin e atletëve, por edhe në teknologjinë dhe materialet që përdoren në garë.