RTK dhuron gjak
Shqipe Gashi|RTKlive
Radio Televizioni i Kosovës (RTK), edhe këtë vit, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, po organizon aksionin për dhurim vullnetar të gjakut, me qëllim që të ndihmohen pacientët në nevojë.
Kësaj thirrjeje iu përgjigjën punëtorët dhe udhëheqësit e RTK-së, ndërsa stafi mjekësor vlerësoi kontributin e gjithsecilit për të shpëtuar jetë.
Doktoresha Mysharef Sytbije theksoi rëndësinë e organizimeve të tilla dhe nevojën e vazhdueshme për dhurime gjaku.
“Jam doktoresha Mysharef Sytbije, specializante në në Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut. Organizime të tilla të qendrës së transfuzionit janë të vazhdueshme në institucione të ndryshme të vendit. Sot jemi në Radiotelevizionin e Kosovës. Jemi shumë falënderuese për pjesëmarrjen e dhuruesve vullnetarë në këtë aktivitet. Kërkesat për doza të gjakut dhe produkte të tjera janë të vazhdueshme në kuadër të Qendrës Klinike Universitare, prandaj është me rëndësi edhe pjesëmarrja e personave që janë të shëndetshëm në aktivitete të tilla”, tha doktoresha.
Kurse ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK), Hysen Hundozi, tha se ky aksion tashmë është bërë traditë në institucion.
“Edhe këtë vit, si herave të tjera, RTK ka organizuar këtë aksion vullnetar të dhurimit të gjakut. Me këtë rast dëshiroj t’i falënderoj të gjithë kolegët tanë që i janë përgjigjur kësaj thirrjeje. Unë personalisht jam dhurues vullnetar i gjakut tash e disa vjet dhe këtë gjë e bëj gjithmonë me kënaqësi. Nuk ka ndjenjë më të mirë se me një veprim tëndin të thjeshtë, që s’të merr aspak kohë, dikujt tjetër mund t’i shpëtohet jeta”, tha Hundozi.
Gazetarja e RTK-së, Behare Bajraktari, ndau edhe një përvojë personale për rëndësinë e dhurimit të gjakut.
“Është shumë me rëndësi dhënia e gjakut. Unë në familjen time kam pasur kohë më përpara babanë që ka pasur nevojë çdo ditë të marrë gjak dhe është shumë e rëndësishme që ne të dhurojmë gjak dhe të shpëtojmë jetë. Këtë do të vazhdoj ta bëj”, tha gazetarja Bajraktari.























