Specialja ia vazhdon paraburgimin Hashim Thaçit
Valbona Thaçi / RTKlive
Trupi Gjykues ka urdhëruar vazhdimin e mbajtjes në paraburgim të ish-presidentit Hashim Thaçi, në kuadër të procesit gjyqësor ndaj tij dhe të akuzuarve të tjerë.
Vendimi u mor më 10 shkurt, pasi më herët ishte urdhëruar vazhdimi i paraburgimit edhe për Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.
Sipas njoftimit, Trupi Gjykues konstatoi se vazhdon të ekzistojë rreziku që Thaçi mund të pengojë ecurinë e procesit gjyqësor ose të kryejë vepra të tjera penale, duke e konsideruar të nevojshme vazhdimin e masës së paraburgimit.
Ndryshe ky rast gjykimi përfshin katër ish-zyrtarë të lartë të pretenduar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Sipas aktakuzës, pretendohen se krimet e paraqitura në të u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë Veriore. Më 15 dhjetor 2022, Gjykatësi i Procedurës Paraprake ia kaloi dosjen e çështjes Trupit Gjykues II. Gjykimi filloi më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023. Më 15 prill 2025, ZPS-ja e mbylli çështjen e vet.
Në vendimin e tij gojor më 16 korrik 2025, Trupi Gjykues hodhi poshtë mocionin e përbashkët të Mbrojtjes për rrëzimin e akuzave në bazë të rregullës 130 të Rregullores. Më 16 dhe 17 korrik 2025,
Mbrojtësi i Viktimave paraqiti provat në gjykatë. Konferenca Përgatitore e Mbrojtjes u mbajt më 19 gusht 2025, dhe paraqitja e provave dhe argumenteve nga Mbrojtja filloi më 15 shtator 2025, ku vetëm ekipet e Mbrojtjes së Hashim Thaçit dhe Jakup Krasniqit paraqitën prova. Më 2 dhjetor 2025, të dy ekipet e Mbrojtjes përfunduan paraqitjen e provave të tyre, ndërsa më 18 dhjetor 2025 u mbyll procedura e paraqitjes së provave. Deklaratat përmbyllëse është planifikuar të mbahen deri 13 shkurt 2026. Në këtë çështje gjyqësore janë 155 viktima pjesëmarrëse.
Procesi ndaj Thaçit dhe të tjerëve po zhvillohet në Dhomat e Specializuara në Hagë.























