Betohen deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës
BKT
Foto| Edona Podvorica | RTK
Lajme

Betohen deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës

Valmira Saraçi|RTKlive

Betohen deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës

(e plotësuar, ora 18:04)  Deputetët e rinj të Kuvendit të Kosovës janë betuar. Kjo ka ardhur pas verifikimit të mandateve nga Komisoni.

LIVE | Deputetët rikthehen në seancë

(e plotësuar, ora 18:00)  Deputetët janë rikthyer në seancë, pasi Komisioni i Përkohshëm për Verifikimin e Kuorumit e Mandateve përfundoi punën.

Kuvendi ka miratuar raportin e Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Kuorumit dhe Mandateve të legjislaturës së dhjetë me 118 vota për, asnjë kundër, asnjë abstenim.

Adnan Rrustemi si kryesues i Komisionit tha se shqyrtoi dokumentacionin përkatës zgjedhor. “Komisioni në bazë të shqyrtimit të dokumentacionit konstaton se në legjislaturën e dhjetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës janë certifikuar 120 deputetë nga subjektet politike e koalicionet që kanë marrë pjesë në zgjedhjet e 28 dhjetorit. LVV 57 deputetë, PDK 22 deputetë, LDK 15 deputetë, SL 9 deputetë, AAK 6 deputetë, KDTP 2 deputetë, SPO 1 deputet, koalicioni Vakat 1 deputet, NDS 1 deputet, IRDK 1 deputet, SDU 1 deputet, PLE 1 deputet, PSA 1 deputet, JGP 1 deputet dhe LPRK 1 deputet”

LIVE|Formohet Komisioni i Përkohshëm për Verifikimin e Kuorumit e Mandateve

( E plotësuar, ora 17:40) 118 deputetë votuan pro formimit të Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Kuorumit dhe Mandateve. Anëtarët e komisionit u mblodhën menjëherë, ndërsa Kuvendi shkoi në pushim 15 minutësh derisa komisioni të përfundojë punën.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari tha se ky komision do të shqyrtojë dokumentacionin përkatës për certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve nga KQZ-ja të mbajtura me 28 dhjetor 2025 dhe Kuvendit t’i paraqesë raportin për vlefshmërinë e mandateve të deputetëve të Kuvendit si dhe verifikon kuorumin në seancën themeluese të legjislaturës së dhjetë.

Ai tha se kryesuesi i Komisionit të Përkohshëm duhet të jetë nga Lëvizja Vetëvendosje me numrin më të madh të deputetëve.

Lëvizja Vetëvendosje në këtë komision propozoi Adnan Rrustemin, Partia Demokratike e Kosovës propozoi Përparim Grudën, LDK-ja propozoi Armend Zemajn, Lista Serbe propozoi për anëtar të këtij komisioni, Srxhan Popoviq, AAK-ja propozoi Albana Bytyqin, ndërsa KDTP propozoi si përfaqësues aty Fatma Taçi, kolaicioni Vakat Rasim Demirin, ndërsa NDS Emilja Rexhepi, nga IRDK-ja është Elbert Krasniqi, nga PLE Veton Berisha, Nenad Rashiq nga Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, SDU, Duda Balje, PSA Artan Asllani, LPRK Erxhan Galushi, Adem Hoxha nga JGP.

LIVE: Nis seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës

( E plotësuar, ora 17:28) Ka nisur seanca konstituive e legjislaturës së dhjetë të Kuvendit të Kosovës nën udhëheqjen e deputetit më të vjetër, Avni Dehari.

“Të nderuara deputete, të nderuar deputetë, kryetari i Kuvendit nga legjislatura e nëntë, në mbledhjen e përbashkët me kryetarët e subjekteve politike që kanë fituar vende në kuvend të mbajtur me 10 shkurt 2026 ka bërë përgatitjet për mbajtjen e seancës themeluese të legjislaturës së dhjetë të Kuvendit”, tha deputeti më i vjetër, Avni Dehari, nga Lëvizja Vetëvendosje.

 

Deputetët e rinj të legjislaturës së dhjetë kanë nisur të mblidhen në Kuvendin e Kosovës aty ku pritet të japin betimin si ligjvënës të rinj, të votohet kryetari i Kuvendit dhe nënkryetarët  kësaj legjislature.

Gjithashtu, Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar se pas kësaj seance pritet të jetë edhe një tjetër seancë për zgjedhjen e Qeverisë së re.

Ky është rendi  i ditës për këtë seancë

1. Formimi i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve,
2. Betimi i deputetëve,
3. Zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit,
4. Zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit.
 


MË SHUME NGA Lajme