Emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi i zgjatet mandati deri në 2028
Gentiana Kelmendi/RTKlive
Këshilli i Bashkimit Evropian ka vendosur të zgjasë mandatet e dy Përfaqësuesve Specialë të BE-së (EUSR). Peter Sorensen do të vazhdojë si Emisar për dialogun Kosovë-Serbi, deri më 29 shkurt 2028. Ai u emërua për herë të parë në janar 2025.
Ndërsa, Kajsa Ollongren do të vazhdojë si EUSR për të Drejtat e Njeriut deri më 29 shkurt 2028. Ajo u emërua për herë të parë në qershor 2025.
"Përfaqësuesit Specialë të BE-së promovojnë politikat dhe interesat e Bashkimit Evropian në vende dhe rajone të caktuara, duke mbështetur reformat, stabilitetin dhe sundimin e ligjit. Aktualisht, njëmbëdhjetë EUSR mbështesin punën e Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Çështjet e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas", thuhet në njoftimin e Këshillit të BE-së.























