Hamza: Detyrë e jona ta forcojmë shtetin përmes mbrojtjes së të vërtetës
Valmira Saraçi|RTKlive
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, deputeti Bedri Hamza, në fjalimin e tij në seancën e jashtëzakonshme për zgjedhjen e Qeverisë së re, tha se është përgjegjësi e madhe që sot fillojnë punën në këtë legjislaturë, në një moment, siç tha ai, kur qytetarët presin stabilitet, zhvillim ekonomik e institucione që punojnë me integritet dhe profesionalizëm.
“Duke respektuar trashëgiminë e demokracisë dhe lirisë e cila këto ditë po mbrohet edhe në gjykimin e themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e që njëherësh janë edhe bashkëthemelues së bashku me shumë gra e burra të nderuar të kombit, të vetë Republikës së Kosovës”.
Hamza tha se seanca themeltare e legjislaturës së dhjetë, është dëshmi e rrugës së vështirë që ka kaluar Kosova për të ndërtuar shtetin dhe demokracinë e saj.
“Sot detyra jonë është që këtë shtet ta forcojmë më tej përmes mbrojtjes së të vërtetës dhe drejtësisë në Hagë, si një temë që sot dominon vëmendjen dhe ndërgjegjen e kujtdo që respekton luftën për liri e pavarësi”, deklaroi Hamza para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Ai tha se kontributi i tyre në muajt e vitet e ardhshme duhet të bëhet edhe përmes politikave të përgjegjshme ekonomike, përmes mbështetjes së sektorit privat, përmes rritjes së mirëqenies sociale.
“Një diplomaci më të urtë e të fokusuar në kthimin e mirëbesimit me aleatët dhe përmes garantimit të sundimit të ligjit për çdo qytetar. Deputetët e PDK-së do të jenë në ballë të ruajtjes së këtyre vlerave”, tha Hamza.
Hamza thirrje liderëve që të marrin pjesë në marshin gjithë popullor me 17 shkurt
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza i ka bërë thirrje liderëve politikë e institucional që të bashkohen në marshin gjithë popullor, i cili pritet të mbahet më 17 shkurt, në përvjetorin e Pavarësisë së Kosovës, ky, sipas tij, do të ishte veprim minimal e modest.
“PDK dhe shpresoj të gjithë deputetët e pozitës dhe opozitës do të bashkohemi të ndihmojmë pa mëdyshje, pa politizime, betejën për drejtësinë dhe të vërtetën që po zhvillohet në Hagë. Me këtë rast ftoj të gjithë kolegët, të gjithë liderët institucional e partiakë të jemi së bashku më 17 shkurt në marshin gjithë popullor, ‘drejtësi jo politikë’, si veprim minimal dhe modest të ngritjes së zërit tonë. Kuvendi dhe Qeveria e ardhshme ka për obligim të bëjë maksimumin që kjo mbrojtje e drejtësisë të përkthehet në verime konkrete”, deklaroi Hamza.
Ai tha se në seancën e parë të punës do ta procedojmë votimin e rezolutës, me të cilën kërkohet gjykim i drejt, i paanshëm dhe profesional.
“Edhe vetë ju këto ditë keni qenë dëshmitarë të kërkesave absurde të prokurorisë në Hagë, unë nga kjo seancë ju njoftoj se në seancën e parë të punës do ta procedojmë votimin e rezolutës, rezolutë që tash i është dorëzuar Kuvendit me të cilën kërkohet gjykim i drejt, i paanshëm dhe profesional në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare dhe në respektim të plotë të të drejtave të njeriut”, tha ai.
Hamza tha se shtet financuese dhe mbështetëse të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë duhet të respektojnë marrëveshjen me Kosovën, që Gjykata të operojë në bazë të ligjeve dhe Kushtetutës së Republikës.
Sipas tij, këto shtete financuese dhe mbështetëse të Dhomave të Specializuara të Kosovës do të marrin përgjegjësi nëse shkelen këto të drejta. Hamza shtoi se në këtë rezolutë pret përkrahjen e të gjithëve.























