Tahiri adreson kritika për numrin e madh të ministrive
Gentiana Kelmendi/RTKlive
Përfaqësuesi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, gjatë seancës së jashtëzakonshme për zgjedhjen e Qeverisë së re, tha se bëhet fjalë për qeverinë më të madhe deri më tani, me 21 ministra dhe zëvendëskryeministra, duke thënë se është një kabinet “i përmasave të një shteti si Kina”, e jo i Kosovës me 1.7 milion banorë.
“A e di çka ke thënë kur e ke marrë mandatin? Sa ministra? A je tu e ditë që ki themelu një kabinet qeveritar i cili është i përmasave të një shteti të Kinës, e jo të Kosovës me 1.7 milion banorë”, tha Tahiri, duke iu drejtuar andidatit për kryeministër, Albin Kurtit.
Ai tha se deputetët u mblodhën pa pasur në dispozicion programin, ekspozenë dhe përbërjen e kabinetit qeveritar.
“Jemi sot këtu në një ditë ku ne si deputet do të duhej të reflektonim mbi një program, mbi një ekspoze, mbi një kabinet të kësaj qeverie të cilën as nuk e kemi parë, as nuk e kemi lexuar, por e kemi dëgjuar prej kandidatit për kryeministër në këtë foltore”, tha Tahiri.
Ai shtoi se kjo, sipas tij, “nuk është asgjë tjetër, përveç akomodim i një pushteti të marrë në mënyrë demokratike, që synim të vetëm e ka me shty një agjendë puro partiake dhe politike”.
Tahiri deklaroi se në emër të grupit parlamentar të AAK-së do të mbështesin çdo punë dhe projekt të mirë që qeveria sjell në Kuvend.
“Në emër të grupit parlamentar të AAK-së zotohemi se çdo punë të mirë e çdo projekt të mirë që kjo qeveri e sjell në Kuvend ne do ta mbështesim, por do të jemi këtu edhe me ju ballafaqu me atë që mendojmë se nuk është e drejtë dhe është kundër qytetarëve të Kosovës e kundër interesit publik”, tha Tahiri.
“Në këtë ditë jemi pas një viti bllokade, bllokade që i ka kushtuar Kosovës me qindra miliona humbje, me një apati të madhe dhe me një ikje të qytetarëve dhe të rinisë së Kosovës”, përfundoi përfaqësuesi i AAK-së.























