Avokati: Kadri Veseli duhet të lirohet dhe të shpallet i pafajshëm
Valbona Thaçi/RTKLive
(E plotësuar, ora 13:32)- Avokati Rodney Dixon ka thënë se Kadri Veseli është tërësisht i pafajshëm dhe këtë e vërtetojnë shumë pika. Ai tha se Veseli duhet të lirohet dhe të shpallet i pafajshëm.
Dixon: Nuk mund të injorohet çfarë ka bërë Serbia në Kosovë
(E plotësuar) Avokati Rodney Dixon, në deklaratën e tij përmbyllëse shtoi se nuk mund të injorohet ajo që ka ndodhur në Kosovë gjatë periudhës së sundimit serb.
“Ju nuk mund të injoroni atë çfarë ka bërë Serbia sikur Serbia të ishin thjesht dele që kalonin gjatë natës”, tha Dixon.
Ai krahasoi situatën në Kosovë me aparteidin në Afrikën e Jugut, duke theksuar se në Afrikën e Jugut autoritetet kishin kërkuar falje ndaj viktimave, ndërsa në Kosovë, sipas tij, “arkitektët serbë dhe ekzekutuesit e bënë të kundërtën. Ata akuzuan persona që kanë vuajtur në atë sistem dhe dhanë prova që kjo të bëhej për t’iu thënë ndërkombëtarëve se ‘këta të UÇK-së janë rrugaçë e janë të pabindur. Ne kemi pasur të drejtë për atë çfarë kemi bërë në Kosovë’.”
Përveç kësaj, Dixon theksoi se angazhimi i Kosovës ndaj drejtësisë duhet të vlerësohet.
“Ngjarjet që mbulon kjo çështje gjyqësore kanë ndodhur 25 vite më parë, ndërkohë që procesi gjyqësor nuk ndiqet shumë jashtë Kosovës. Megjithatë, në një peizazh ndërkombëtar që përfshin shtete dhe gjykata ndërkombëtare, është e rëndësishme të theksohet se Kosova ka dhënë mbështetjen e plotë. Kështu që angazhimi i Kosovës ndaj drejtësisë duhet të përgëzohet dhe duhet të sigurohet respektimi i sundimit të ligjit”, tha ai.
Dixon u kërkon Gjykatësve të mos lejojnë që drejtësia të shtrembërohet
(E plotësuar) Avokati Dixon iu drejtua gjykatësve, duke i quajtur “gardianët e shtetit ligjor” dhe duke theksuar se ata kanë në dorë argumentet e ZPS-së kundër të akuzuarit. Ai tha se është detyrë e gjykatësve “të pengojnë këtë përpjekje të kotë të ZPS-së me qëllim që të mos shtrembërohet drejtësia”.
Dixon i kujtoi gjykatësve traditën e gjykatësve ndërkombëtarë, duke thënë se kjo praktikë ka rrënjë nga proceset e Nürenbergut dhe përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, dhe shprehu shpresën se “do të vazhdojë edhe në ardhmen”. Ai vuri në dukje se “aktgjykimi i juaj do të zërë vendin e vet në këtë histori dhe nuk do të harrohet, pavarësisht se sa është përpjekur ZPS-ja të ju bindë ju të nderuar gjykatës që ta gjeni fajtor zotin Veseli me çdo kusht”.
Avokati theksoi se kjo përpjekje është e papranueshme sipas ligjit ndërkombëtar: “Ne e kundërshtojmë këtë me parimin ligjor dhe shtetin ligjor, i cili është në qendër të të gjitha gjykatave ndërkombëtare. Nuk ka prova, por kur provat janë të dobëta nuk mund të ketë edhe shpallje fajësie.”
Dixon: Drejtësia për viktimat e Kosovës nuk zëvendësohet nga padrejtësia
(E plotësuar) Avokati Rodney Dixon sikurse edhe dje pretendon se Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) nuk ka fakte se Kadri Veseli ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me Shtabin e Përgjithshëm kur ishte jashtë shtetit dhe beson që ajo nuk ka fakte për akuzat që i ka ngritur.
Avokati Dixon më pas kaloi te çështja e viktimave të luftës në Kosovë, dhe foli për pretendimet e Prokurorisë.
Avokati Dixon theksoi se “duhet të mbrohen të pafajshmit dhe gjykatat tona duhet të jenë gjykata me integritet”, duke shtuar se edhe nëse duhen pesë vite ose më gjatë për të përcaktuar të vërtetën, procesi duhet ndjekur deri në fund. Ai vuri në dukje se synimi për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë nuk duhet të sakrifikojë të vërtetën dhe se viktimat kanë nevojë për drejtësi të bazuar në realitet.
Dixon nënvizoi se “viktimat e dinë shumë mirë se padrejtësia më e keqe është drejtësia e pretenduar apo e rreme” dhe se pamundësia për të arritur drejtësinë jo vetëm që i përkeqëson dhimbjet, por edhe rrit pasojat e mashtrimit nga sistemi i drejtësisë.
Ai kujtoi se shkatërrimet dhe dhimbjet e shkaktuara gjatë luftës në Kosovë “kanë qenë të jashtëzakonshme” dhe se studimet tregojnë se stresi post-traumatik mbetet në nivele shumë të larta edhe 10 vjet pas përfundimit të luftës, më i lartë se në vendet e tjera pas konflikteve, përfshirë luftën në Vietnam. Po ashtu, 84 për qind e pacientëve të patrajtuar vazhdojnë të shfaqin simptoma vite pas përfundimit të luftës.
Dixon bëri të qartë se kritikat dhe argumentet e tij ndaj ZPS-së lidhur me zotin Veseli “në asnjë çast nuk zvogëlojnë vuajtjet e viktimave të Kosovës, disa prej të cilave janë në qendër të aktakuzës së kësaj çështjeje gjyqësore”. Ai shtoi se viktimat që përmendi në parashtrimet e tij “i kam në mendje gjatë gjithë kohës”, edhe pse nuk i ka përmendur për shkak të masave mbrojtëse.
LIVE| Seanca me deklaratat e mbrojtjes
(E plotësuar) Në Speciale ka filluar seanca me deklaratat e mbrojtjes.
(E plotësuar) Në Speciale ka filluar seanca me deklaratat e mbrojtjes së Veselit, për t’u pasuar nga mbrojtja e Rexhep Selimit.
Në Speciale vazhdon seanca me deklaratat e mbrojtjes
Sot në Speciale do të vazhdojë seanca me deklaratat e mbrojtjes së Veselit, për t’u pasuar nga mbrojtja e Rexhep Selimit.
Ndryshe, dje përfundoi dita e tretë e deklaratave përmbyllëse në procesin gjyqësor ndaj krerëve të UÇK-së në Hagë. Kanë paraqitur deklaratat mbrojtja e Hashim Thaçit, me avokatët Luka Mishetiq, Nina Tavakoli dhe Pierre-Richard Prosper, si dhe mbrojtja e Kadri Veselit, me avokatin Rodney Dixon.
Parashtrimet e mbrojtjes pritet të vazhdojnë gjatë gjithë kësaj jave dhe në fillim të javës së ardhshme.























