KDI pret rritje të transparencës dhe rol më aktiv të Kuvendit
BKT
Lajme

KDI pret rritje të transparencës dhe rol më aktiv të Kuvendit

Emine Hoti/RTKlive

Kuvendi i Kosovës ka përmbyllur seancën konstituive duke zgjedhur Kryetaren e Kuvendit, Albulena Haxhiu, si dhe pesë nënkryetarët, duke i dhënë fund një periudhe të zgjatur të krizës institucionale në vend.

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka përgëzuar deputetët e legjislaturës së dhjetë për funksionalizimin e institucionit më të lartë përfaqësues, duke e cilësuar këtë hap si të rëndësishëm për stabilitetin demokratik dhe rikthimin e normalitetit institucional.

Sipas KDI-së, Kuvendi duhet të forcojë rolin e tij kushtetues në këtë mandat të ri, duke rritur cilësinë e procesit legjislativ, transparencën në vendimmarrje dhe duke ushtruar mbikëqyrje më efektive ndaj ekzekutivit.

Organizata ka theksuar gjithashtu nevojën për rikthimin dhe fuqizimin e funksionit mbikëqyrës të Kuvendit, përfshirjen reale të qytetarëve dhe të shoqërisë civile në procesin legjislativ, si dhe trajtimin me prioritet të reformave të mbetura pezull gjatë periudhës së krizës.

“Kthimi i besimit të qytetarëve në institucionet përfaqësuese kërkon përgjegjësi, integritet dhe dialog politik,” thuhet në komunikatën e KDI-së, e cila paralajmëron se do të vazhdojë të monitorojë punën e Kuvendit dhe të kontribuojë në forcimin e standardeve demokratike dhe funksionimit parlamentar në vend.


MË SHUME NGA Lajme