Përfundon dita e katërt në Hagë, nesër deklaratat për Selimin e Krasniqin
BKT
Gjykata Speciale

Përfundon dita e katërt në Hagë, nesër deklaratat për Selimin e Krasniqin

Valbona Thaçi & Medina Pasoma / RTKLive

(E përditësuar, 17:42) Ka përfunduar dita e katërt e deklaratave përmbyllëse në çështjen gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë. Sot është deklaruar mbrojtësi i Kadri Veselit, Rodney Dixon dhe mbrojtësi e Rexhep Selimit, Geoffrey Roberts.

Dixon iu është drejtuar gjykatësve, duke i quajtur “gardianët e shtetit ligjor” dhe duke theksuar se ata kanë në dorë argumentet e ZPS-së kundër të akuzuarit. Ai tha se është detyrë e gjykatësve “të pengojnë këtë përpjekje të kotë të ZPS-së me qëllim që të mos shtrembërohet drejtësia”. Ai ka kërkuar lirimin dhe shpalljen e pafajësisë për Veselin.

Në anën tjetër mbrojtja e Rexhep Selimit, Geoffrey Roberts, tha se ZPS-ja nuk ka arritur të vërtetojë asnjë nga krimet që i ngarkohen klientit të tij. Roberts deklaroi se i akuzuari është “tërësisht i pafajshëm për secilin prej krimeve të pretenduara në aktakuzë”, duke theksuar se kjo, sipas tyre, është vërtetuar gjerësisht në dosjen përfundimtare të mbrojtjes.

Nesër seanca vazhdon fillimisht me mbrojtjen e Rexhep Selimit, për të vazhduar pastaj edhe me dhënien e deklaratave të mbrojtjes së Jakup Krasniqit.

Pas përmbylljes së deklaratave, çështja do të kalojë te trupi gjykues. Gjykatësit kanë tre muaj kohë që të marrin një vendim për çështjen, ose të kërkojnë zgjatjen e afatit për marrjen e vendimit.

(16:30) Roberts: ZPS pretendon se edhe Adem Jashari ishte anëtar i NPK-së

Avokati mbrojtës i Rexhep Selimit, Geoffrey Roberts, në vazhdim të deklaratës e tij përmbyllëse, shtoi se në këtë proces Prokuroria ka përmendur shumë emra që nuk janë të akuzuar, duke synuar të lidhë këta persona me të akuzuarit përmes pretendimit të një qëllimi të përbashkët kriminal.

Roberts theksoi se në këtë kontekst është përmendur edhe Adem Jashari, duke kujtuar aktivitetet e tij në Prekaz në fillim të vitit 1998. Ai shtoi se në aktakuzë nuk përmendet masakra që i ka ndodhur familjes Jashari.

“Emri i tij përmendet gjithashtu në raste të tjera, si takimet me Veselin dhe Thaçin në vitin 1992, apo prezantimi me Selimin nga Sulejman Selimi në vitin 1994. Gjithashtu, thuhet se më 4 mars 1998 është takuar me Selimin, Sabit Gecin, Rrahman Ramën dhe të tjerë për të diskutuar për armët dhe UÇK-në”, shtoi ai.

Roberts argumentoi se ZPS ka nxjerrë përfundimin se lidhjet mes të akuzuarve dhe Adem Jasharit janë relevante për argumentet e tyre në këtë rast.

Ai shtoi se Prokuroria duket se e bën këtë për shkak të pretendimit se edhe Adem Jashari mund të jetë anëtar i NPK-së, pa e përmendur emrin e tij drejtpërdrejt. “Megjithatë, nëse e pyet Prokurorinë, ajo nuk mund të përgjigjet. Nëse do të ishte pjesë e NPK-së, Prokuroria do ta kishte mundësinë ta vërtetonte këtë”, tha avokati.

Roberts: Çlirimi i Kosovës synonte fundin e regjimit të Millosheviqit

(E përditësuar, 16:01) Avokati mbrojtës i Rexhep Selimit, Geoffrey Roberts deklaroi se përpjekjet e klientit të tij dhe anëtarëve të tjerë të UÇK-së nuk kishte të bënte me synime të pushtetit ‘në mënyrë egoiste’ siç iu referohet Prokuroria, por fundin e regjimit të Millosheviqit.

“Në vetvete qëllimi për marrjen nën kontroll Kosovën nuk është kriminal, por mënyrë për t’i dhënë fund shtypjes së Millosheviqit”, tha ai.

Roberts përmendi intervistën e Selimit që po merret si burim nga ZPS, duke thënë se mund të jetë me gabime duke pasur parasysh kontekstin kohor të ngjarjeve.

“Duke qenë se ai po merrej në pyetje për ngjarje para 20 vitesh, ai u përgjigj pa referenca dhe burime materiale. Mund të ketë gabime...Selimi nuk po akuzohet mbi një rrëfim që mund të jetë i besueshëm. Gabimet, lëshimet në kujtesën e tij mund të ketë dhe minojnë peshën që duhet t’i jepet kësaj prove”, tha Roberts.

Ai më tej tha se kjo intervistë citohet në dosjen përfundimtare 236 herë.

“Në të shumtën e rasteve kjo intervistë është burimi i vetëm më të cilin mbështetet Prokuroria, përfshirë lidhur me faktet materiale kundër bashkë të akuzuarve dhe kundër Selimit”, deklaroi ai.

(15:30) Roberts: ZPS-ja dështoi të vërtetojë akuzat

Avokati i Selimit, Geoffrey Roberts, në fillim të fjalës tha se ZPS-ja nuk ka arritur të vërtetojë asnjë nga krimet që i ngarkohen klientit të tij.

Roberts deklaroi se i akuzuari është “tërësisht i pafajshëm për secilin prej krimeve të pretenduara në aktakuzë”, duke theksuar se kjo, sipas tyre, është vërtetuar gjerësisht në dosjen përfundimtare të mbrojtjes.

Sipas mbrojtjes, “ZPS-ja nuk ka arritur të përmbushë detyrimin e saj për të vërtetuar asnjërën prej këtyre krimeve të pretenduara përtej dyshimit të arsyeshëm”.

Roberts shtoi se mbrojtja nuk ka detyrim të vërtetojë se pretendimet e Prokurorisë janë të gabuara dhe se, duke ngritur akuza ndaj Selimit, ZPS-ja nuk mund të transferojë përgjegjësinë tek pala mbrojtëse.

“ZPS-ja duhet të paraqesë prova koherente, relevante dhe dëshmi të mbështetshme për të vërtetuar pretendimet kundër zotit Selimi përtej dyshimit të arsyeshëm. Në të gjitha këto aspekte Prokuroria ka dështuar në mënyrë mëse të qartë”, thuhet në deklaratë.

Mbrojtja e Rexhep Selimit nis paraqitjen e deklaratave përmbyllëse

Pas pushimit, në Hagë ka filluar paraqitja e deklaratave përmbyllëse nga ekipi mbrojtës i Rexhep Selimit.


MË SHUME NGA Gjykata Speciale