RrGK letër Kurtit, bën thirrje për reforma urgjente për barazinë gjinore
Valmira Saraçi|RTKlive
Rrjeti i Grave të Kosovës i ka dërguar letër kryeministrit, Albin Kurti, përmes së cilës thonë se i kanë përcjellë shqetësimin për përqindjen e vogël të grave të emëruara si ministre.
“Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) i ka dërguar sot një letër Kryeministrit Albin Kurti duke e uruar atë për formimin e Qeverisë së re. Në të njëjtën kohë, Rrjeti shprehu shqetësim në lidhje me përqindjen e vogël të grave të emëruara si ministre. RrGK kujtoi se Ligji për Barazinë Gjinore parasheh përfaqësim të barabartë të grave dhe burrave në vendimmarrje (50%), duke theksuar se përfaqësimi i balancuar është si një detyrim ligjor ashtu edhe thelbësor për qeverisje demokratike”, thotë RrGK-ja.
RrGK thotë se kërkoi integrimin sistematik të barazisë gjinore dhe të drejtave të grave në të gjitha fushat e politikave.
“Rrjeti bëri thirrje për disa ndryshime urgjente ligjore dhe politike, duke përfshirë: miratimin e një Ligji të ri të Punës në përputhje me Direktivën e BE-së për Balancin punë-jetë; vendosjen e treguesve të qartë të barazisë gjinore brenda Agjendës së Reformës së Kosovës në kuadër të Programit për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor; institucionalizimi i buxhetimit të përgjegjshëm ndaj gjinisë brenda ligjeve të ardhshme të financave publike; investime më të mëdha në shërbimet e kujdesit, drejt mundësimit të pjesëmarrjes së grave në fuqinë punëtore dhe transformimit të punës së papaguar në punë të paguar; dhe krijimi i një linje buxhetore të dedikuar brenda Agjencisë për Barazi Gjinore për të mbështetur organizatat e ndryshme të grave, veçanërisht në dritën e krizës aktuale të financimit”, thotë RrGK-ja.
Rrjeti thotë se ka shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar ngushtë me Qeverinë e re dhe të gjithë ministrat për mbrojtjen, promovimin dhe avancimin e të drejtave të grave në Kosovë.























