GLPS mirëpret ratifikimin e Marrëveshjeve me BE-në
Emine Hoti/RTKlive
Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka mirëpritur votimin e sotëm në Kuvendi i Republikës së Kosovës për ratifikimin e Marrëveshjeve të Facilitetit dhe Huasë mes Kosovës dhe Bashkimi Evropian.
Sipas GLPS-së, ndonëse i vonuar, ratifikimi përbën një moment të rëndësishëm në rrugën drejt integrimit evropian të Kosovës dhe hap derën për zbatimin e Agjendës së Reformave, si dhe përfitimin nga shtysat financiare të Planit të Rritjes.
Pas këtij vendimi, GLPS i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të vazhdojë menjëherë me zbatimin e kërkesave teknike, duke filluar nga themelimi i Komitetit për Monitorimin e Zbatimit të Planit të Rritjes dhe emërimi i koordinatorit kombëtar. Sipas organizatës, këta hapa do të mundësonin ekzekutimin e parapagesës prej 7% të totalit, përkatësisht 61.8 milionë euro. GLPS thekson se tashmë nuk ka asnjë pengesë legjislative dhe se veprimi i menjëhershëm është thelbësor për zbatimin e suksesshëm të Agjendës së Reformave brenda afateve të parapara.
Duke qenë se afatet primare për raportimin e tre semestrave tashmë kanë kaluar, GLPS kërkon një angazhim serioz nga Qeveria dhe Kuvendi për zbatim sa më të shpejtë të masave, duke pasur parasysh afrimin e afateve të grejs periudhës. Rëndësi të veçantë, sipas tyre, kanë masat reformuese të qershorit 2025, afati përfundimtar i të cilave është 30 qershor 2026. Këto përfshijnë 13 masa për të cilat janë alokuar gjithsej 90.7 milionë euro.
GLPS rekomandon themelimin e një task force për koordinim, me qëllim zbatimin e menjëhershëm të këtyre masave, duke theksuar se mbi dy të tretat e grejs periudhës tashmë janë konsumuar.
Në fund, organizata u bën thirrje të gjithë spektrit politik për unifikim në funksion të përshpejtimit të procesit të reformave. Sipas GLPS-së, zbatimi i tyre është jetik, pasi përveç përfitimeve financiare, vendi do të përafrojë kuadrin ligjor, politik dhe administrativ me acquis të BE-së. Pas një viti të humbur me përplasje politike, GLPS vlerëson se tani është momenti për reforma të shpejta dhe të vendosura, duke shtuar se do të vazhdojë monitorimin dhe avokimin për zbatimin e Planit të Rritjes.























