Studentët e UP-së ngritën flamurin e UÇK-së dhe kërkojnë drejtësi në Hagë
BKT
Lajme

Studentët e UP-së ngritën flamurin e UÇK-së dhe kërkojnë drejtësi në Hagë

Fatos Cëvadiku|RTK

Studentët e Universitetit të Prishtinës kanë organizuar një aktivitet në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së. Parlamenti Studentor, në shënim të 56-vjetorit të UP-së, ngriti flamurin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pranë Rektoratit dhe më pas vazhdoi drejt Zyrës së BE-së në Kosovë.

Në shënim të 56-vjetorit të Universitetit të Prishtinës, si dhe në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – si dhe luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës, bashkë me organizata studentore, ngriti flamurin e UÇK-së pranë Rektoratit të UP-së. Nga aty, studentët vazhduan tek objekti i zyrës së BE-së në Kosovë.

“UÇK ishte një përgjigje e një populli ndaj shtypjes dhe dhunës sistematike. Prandaj, çdo trajtim i kësaj historie kërkon përgjegjësi, kujdes dhe drejtësi që nuk lë vend për dyshim. Ne nuk kërkojmë asnjë trajtim të veçantë dhe as anashkalim të drejtësisë. Kërkojmë drejtësi që është e barabartë, transparente dhe e bazuar në prova,” tha Donart Humolli, student.

Nga BE, studentët kërkuan që të kontribuojë në forcimin e besimit në drejtësi si kusht për paqe dhe stabilitet afatgjatë.

“I bëjmë thirrje Bashkimit Evropian që të kontribuojë në forcimin e besimit në drejtësi dhe në shmangien e çdo perceptimi që drejtësia mund të shihet si selektive,” theksoi Donart Humolli.

Nga aty, u ftuan të gjithë studentët që të bashkohen në marshin për drejtësi, i cili do të mbahet më 17 shkurt, me fillim nga ora 14:00.


MË SHUME NGA Lajme