Bogujevci ngushëllon familjen për ndarjen nga jeta të Sadedin Prekazit
BKT
Kulturë

Bogujevci ngushëllon familjen për ndarjen nga jeta të Sadedin Prekazit

Emine Hoti| RTKLive

Ministrja e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, ka shprehur ngushëllimet e saj më të sinqerta për familjen Prekazi pas ndarjes nga jeta të aktorit dhe regjisorit Sadedin Prekazi.

Në mesazhin e saj, ministrja thekson se Prekazi ishte një artist me vlera të jashtëzakonshme dhe një personalitet të veçantë, i cili la pas një veprimtari të pasur në fushën e teatrit dhe artit skenik. Kontributi i tij si aktor dhe regjisor do të mbetet pjesë e rëndësishme e kulturës dhe trashëgimisë artistike të vendit.

"E nderuar familje Prekazi, me pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të artistit tonë, Sadedin Prekazi, dhe ju shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta. Kemi humbur një artist me vlera të jashtëzakonshme, një personalitet të veçantë që pas vetes la një veprimtari të pasur në fushën e teatrit dhe artit skenik, përmes së cilës do ta kujtojmë gjithmonë. Kontributi i tij si aktor dhe regjisor do të mbetet pjesë e rëndësishme e kulturës dhe trashëgimisë sonë artistike. Prekazi, i formuar dhe rritur në institucionet tona artistike, me përkushtim e dinjitet i shërbeu skenës për dekada me radhë. Me rolet dhe projektet e tij artistike, ai jo vetëm që la gjurmë në vend, por kontribuoi në afirmimin e artit tonë edhe përtej kufijve.Emri dhe vepra e tij do të mbeten frymëzim për brezat e rinj të artistëve. Ne do ta kujtojmë gjithmonë si shembull të përkushtimit, profesionalizmit dhe mirësisë njerëzore. Krijimtaria që ka lënë pas do t’u shërbejë gjeneratave që vijnë. Ngushëllime familjes, miqve dhe dashamirëve të Sadedin Prekazit. Sinqerisht", thuhet në letrën e ngushëllimit të Saranda Bogujevci, Ministre e Kulturës dhe Turizmit.

Ndryshe dje ka ndërruar jetë aktori dhe regjisori Sadedin Prekazi. Prekazi kishte punuar si regjisor në Radio Televizionin e Kosovës.

I ndjeri ishte një artist i përkushtuar, i cili la gjurmë të çmuara në skenën teatrore dhe në jetën kulturore. Ai do të kujtohet për kontributin e tij në art, si dhe për respektin dhe vlerësimin që gëzonte nga publiku..

Varrimi u bë në varrezat e Dragodanit në Prishtinë.
Sadedin Prekazi ka lindur në vitin 1947 në Mitrovicë. Ai ishte aktor dhe regjisor, i njohur për filmin “I ikuri” (1980), i njohur edhe si filmi për fëmijë “Fidani”, “Të gjithë me ne” (2000) dhe “Kur pranvera vonohet” (1980).


MË SHUME NGA Kulturë