Të akuzuarit për sulmin në kanalin e Ibër Lepencit deklarohen të pafajshëm
Visar Shatrolli /RTK
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka nisur të hënën gjykimi për shpërthimin në kanalin e Ibër-Lepencit në fshatin Varagë, në veri të Kosovës. Të akuzuarit Dragisha e Jovan Viqentijeviq, si dhe Igor Dimoviq, janë deklaruar të pafajshëm.
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj tyre për veprat penale “kërcënim i rendit kushtetues” dhe “kryerje e aktit terrorist”. Vëllezërit Viqentijeviq ndodhen në paraburgim që nga arrestimi më 29 nëntor 2024, ndërsa Dimoviq mbrohet në liri.
Sipas aktakuzës, të dy vëllezërit dyshohen se kanë vendosur rreth 20 kilogramë eksploziv (TNT) në kanalin Ibër-Lepenc, me qëllim dëmtimin e infrastrukturës kritike të ujit dhe energjisë elektrike. Dëmi material është vlerësuar rreth 400 mijë euro.
Gjatë bastisjeve në shtëpitë e tyre në Zubin Potok dhe Prevllak, Policia e Kosovës ka sekuestruar armë të luftës, ndërsa në shtëpinë e Dimoviqit janë gjetur karikatorë, fishekë, thikë dhe uniforma ushtarake.
Prokuroria ka paraqitur si provë edhe raportin e ekspertizës gjeologjike të FBI, lidhur me mostrat e dheut të gjetura në çizmet e të akuzuarve.
Avokati mbrojtës njoftoi se mbrojtja do të ankohet ndaj aktakuzës dhe do të paraqesë prova dhe dëshmitarë brenda afatit ligjor prej 30 ditësh.
Fillon seanca për sulmin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit
Në Gjykatën Themelore të Prishtinës ka filluar seanca e shqyrtimit fillestar për sulmin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit.
Ndyrshe për këtë sulm akuzohen vëllezërit Dragisha e Jovan Viqentijeviq dhe Igor Dimoviq. Në seancën fillestare më 24 dhjetor 2025, mbrojtësi i Jovan Viqentijeviq, avokati Nebojsha Vllajiq, kishte kërkuar përjashtimin e prokurorit Kodraliu, kërkesë që u mbështet edhe nga mbrojtësit e të akuzuarve të tjerë, duke çuar në ndërprerjen e seancës.
Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë më 9 dhjetor 2025 ndaj tre të akuzuarve për sulmin e 29 nëntorit 2024 në kanalin e Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin-Potokut.
Sipas aktakuzës, më 29 nëntor 2024, në fshatin Varagë, Komuna e Zubin Potokut, të pandehurit J.V. dhe D.V., së bashku me disa persona të tjerë ende të panjohur, kanë vendosur rreth 20 kilogramë trinitrotoluene (TNT) brenda kanalit “Ibër Lepenc”. Ata e aktivizuan lëndën shpërthyese përmes një çante të lidhur me një shtyllë betoni, duke dëmtuar rëndë strukturën e kanalit, ndërprerë furnizimin me ujë të pijshëm, rrezikuar prodhimin e energjisë elektrike dhe shkaktuar dëm në vlerë prej 376,774.70 eurosh ndërmarrjes “Ibër Lepenc”.
Aktakuzat gjithashtu përfshijnë veprat penale të armëmbajtjes pa leje për tre të pandehurit dhe veprën penale të spiunazhit për J.V., i cili dyshohet se ka vepruar në favor të Shërbimit Informativ Ushtarak të Serbisë, duke mbledhur dokumente dhe informacione të klasifikuara për qëllime të kundërligjshme në territorin e Kosovës.























