Përfundon fjalën mbrojtja e Krasniqit, kërkon të shpallet i pafajshëm
Medina Pasoma / RTKlive
(12:25) Me përmbylljen e deklaratave përfundimtare të mbrojtjes së Jakup Krasniqit sot, është përmbledhur gjithë procesi i shpalosjes së deklaratave nga Prokuroria, mbrojtësit e viktimave dhe ekipet mbrojtëse të Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit.
Në rikthimin e seancës pas pauzës, do të dëgjohen pyetjet e trupit gjykues.

(12:20) Venkateswari: S’ka prova të besueshme se Krasniqi ishte i përfshirë në krime
Mbrojtësja e fundit e Krasniqit, avokatja Alagendra Venkateswari theksoi se asnjë nga dëshmitarët s’ka dëshmuar që klienti i saj ka qenë i përfshirë në plane kriminale.
“Asnjë dëshmitar nuk ka dëshmuar se Krasniqi perceptohej si i përfshirë në krime apo në ndonjë plan kriminal. Në të kundërtën, pretendimet nuk janë besuar”, tha ajo.
Venkateswari më tej theksoi se Krasniqi ka kundërshtuar aparteidin serb ndaj shqiptarëve, por kurrë s’ka pasur urrejtje ndaj serbëve.
“Për aktivizmin e tij, Krasniqi ka paguar shtrenjtë. Ai i ka kaluar 10 vjet si i burgosur politik, nga viti 1981-1991, ku ka pësuar torturë dhe keqtrajtim të rëndë, në kushte të tmerrshme në duart e autoriteteve jugosllave. Ai është kundërshtar i regjimit serb dhe është krenar për këtë, jo për urrejtje ndaj serbëve, por sepse kundërshtonte politikat e aparteidit kundër shqiptarëve të Kosovës, të imponuara nga regjimi serb i Millosheviqit”, ka thënë ajo.
Ajo kërkoi shpalljen e Krasniqit i pafajshëm meqënëse, “nuk ka prova të besueshme se Krasniqi ishte i pranishëm, urdhëroi apo mori pjesë në krime kundër ndonjë civili, jo në emër të tij, jo në prani të tij”.

(12:10) Beqiri: Dënimi 45 vjet burg, më shumë se dyfishi për udhëheqësit serbë
Avokati i dytë i mbrojtjes së Jakup Krasniqit, Mentor Beqiri, tha se është i habitshëm fakti sesi Prokuroria kërkon nga 45 vjet burgim për secilin nga katër të akuzuarit, dyfish më shumë se udhëheqësit serb.
Ai përmendi dënimin prej 22 vjetësh për ish-zëvendëskryeministrin jugosllav, Nikola Sajnoviq, gjeneralin e ushtrisë Jugosllave, Nebojsha Pavkoviq dhe gjeneralin e Policisë Serbe, Sreten Lukiq.
Beqiri shtoi gjithashtu se nga 15 vjet burgim ishin dënuar gjenerali i ushtrisë jugosllave, Vladimir Lazareviq dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm Dragoljub Ojdaniq.
“Prokuroria është habi që kërkon dënim me 45 vjet burgim, më shumë se dyfishi që ua dhanë udhëheqësve serbë”, tha Beqiri.
Avokati tha se nga analiza e provave del se pretendimi i Prokurorisë që Krasniqi dhe anëtarët e tjerë të UÇK-së ndanin qëllimin e përbashkët për të marrë dhe ushtruar kontroll në të gjithë Kosovën përmes kryerjes së krimeve, nuk qëndron.
“Provat që u dëgjuan në këtë çështje tregojnë se UÇK-ja nuk u krijua si një organizatë që kërkonte marrjen e pushtetit. Ajo u ngrit si një lëvizje mbrojtëse e krijuar në përgjigje të kërcënimit ekzistencial dhe të menjëhershëm më të cilën u përballën populli shqiptar i Kosovës të cilët pësonin shtypjen e gjerë dhe dhunën e ushtruar nga forcat serbe”, tha Beqiri.

(11:15) Ellis: Krimet nga Policia Ushtarake s’janë provë për kontribut nga Krasniqi
Avokati mbrojtës i Jakup Krasniqit, Aiden Ellis, tha se kryerja e krimeve të mundshme nga Policia Ushtarake, nuk është provë që Krasniqi ka pasur kontribut në to.
“Ka prova që disa anëtarë të Policisë Ushtarake kanë rrahur persona të ndaluar. Por, sa herë një anëtar i Policisë Ushtarake ka ushtruar forcën kundër një personi në ndalim, sipas nesh ka shkelur rregulloren në fjalë. Kryerja e krimeve nga anëtarë të Policisë Ushtarake nuk është provë sipas nesh që zoti Krasniqi të ketë luajtur rol në këto rregullore dhe ky rol të ketë pasur kontribut të konsiderueshëm në kryerjen e krimeve”, tha Ellis.
Ellis më tej vazhdoi se ndërlidhja që Prokuroria po bën nuk është bazë për akuzë.
“Ata nënkuptojnë që mund të ketë një lidhje, por pa na e dhënë bazën dhe pa konfirmuar që prania e tij ka kontribuuar në kryerjen e krimeve. Duke thënë thjesht që ka qenë i pranishëm, nuk mund të pretendohet se ekziston një provë”, ka deklaruar avokati.
LIVE | Nis seanca e deklaratës përmbyllëse e mbrojtjes së Jakup Krasniqit
Ka nisur seanca e deklaratës përmbyllëse e mbrojtjes së Jakup Krasniqi, e cila po paraqitet nga avokati Aiden Ellis. Mbrojtja e Krasniqit ka në dispozicion një orë e gjysmë për të përfunduar deklarimet përmbyllëse.
Deklaratat paraprake të mbrojtjes nga Ellis dhe avokatja Venkateswari Alagendra u dhanë në seancën e së premtes.
Gjatë fjalës së tij, Ellis theksoi se Prokuroria nuk ka arritur të vërtetojë përgjegjësinë e Krasniqit në çështjet për të cilat akuzohet.
“Nuk është vërtetuar asnjëherë që z. Krasniqi e ka pasur përgjegjësinë kryesore për komunikatat. Unë do të përfundoj duke thënë se paragrafi 554 i dosjes së Prokurorisë është një shembull i qartë i mënyrës se si ka dështuar Prokuroria”, deklaroi ai.
Ndërkaq, avokatja Alagendra u shpreh se, sipas saj, i vetmi opsion është shpallja e pafajësisë së Krasniqit dhe rikthimi i tij pranë familjes. Ajo theksoi se në dosje nuk ekziston asnjë dëshmitar që pretendon se Krasniqi ka keqtrajtuar apo dëmtuar ndokënd.
Lajmi në përditësim…























