Hamza kritikon projektbuxhetin e 2026-s
Kimete Kasumi/ RTKlive
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza ka kritikuar projektbuxhetin e vendit për vitin 2026, të cilin e ka prezantuar në seancën e sotme të Kuvendit, ministri i Financave, Hekuran Murati. Hamza tha se buxheti i propozuar është një buxhet që menaxhon status quo-në.
Sipas tij, me këtë buxhet nuk ka investime, por ka keqësim të gjendjes.
“Projektbuxheti i propozuar për vitin 2026 është buxhet që menaxhon status quo-në, kjo si rezultat i rritjes së shpenzimeve operative dhe posaçërisht te transferet dhe subvencionet. Kjo ndikon në rritjen e konsumit në periudhë afatshkurte, por në periudhë afatgjate si rritje e shpenzimeve rrjedhëse e zvogëlon hapësirën për investime kapitale”, tha ai.
Sipas tij këto shpenzime të rritura për subvencione dhe transfere e zvogëlojnë hapësirën fiskale për periudhat e ardhshme, e që sipas Hamzës sigurisht do të ndikojnë në pamundësinë e zgjerimit të bazës prodhuese dhe eksportuese.
Hamza tutje tha se nuk e kupton urgjencën e procesimit të Projektligjit të buxhetit 2026.
“Ne nuk duam dhe nuk lejojmë vonesa, por pse kjo urgjencë? Vetëm dy arsye më shkojnë ndërmend; E para që t'u pamundësohet deputetëve, pozitë e opozitë që me diskutimet e tyre të japin edhe propozime e alternativa, dhe e dyta, nuk dua të besoj që kjo lidhet me çështjen e zgjedhjes së presidentit”, është shprehur ai.























