Kurti: Paraja, përveçse mjet shkëmbimi është simbol i besimit dhe i shtetit
BKT
Lajme

Kurti: Paraja, përveçse mjet shkëmbimi është simbol i besimit dhe i shtetit

Blerim Halimi | RTKlive

“Ekspozita që na ka mbledhur sot flet me gjuhën e historisë, por mesazhin e ka aktual dhe për të ardhmen”, tha sot kryeministri Albin Kurti, gjatë hapjes së ekspozitës “Paraja rrëfen: 100 vjet jetë dhe ngjarje, Banka e Shqipërisë”, që u mbajt në hollin e Bankës Qendrore të Kosovës.

Kreu i Qeverisë theksoi se paraja është simbol i besimit, rendit institucional dhe vetë shtetit, përveçse mjet shkëmbimi. Ai vuri në pah se historia e parasë lidhet ngushtë me forcimin e institucioneve dhe marrëdhëniet ndërmjet qytetarëve dhe shtetit, si dhe me bashkëpunimin e qëndrueshëm mes Kosovës dhe Shqipërisë, njofton Zyra e Kryeministrit.

“Kjo histori e besimit na lidh drejtpërdrejt me raportin ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë. Bashkëpunimi ynë nuk është as i rastësishëm e as i përkohshëm. Ai pikënisjen e ka te historia jonë dhe vazhdimin e gjen te institucionet e dy republikave tona”, tha tutje Kurti, duke përmendur gjithashtu 58 marrëveshjet e reja të arritura gjatë katër viteve të fundit si tregues të nivelit më të lartë të koordinimit institucional midis dy shteteve.

Kryeministri e konsideroi ekspozitën si rikujtim të përpjekjeve dhe sakrificave ndër breza, por edhe si përgjegjësi për zhvillimin dhe përparimin e vendit dhe forcimin e partneritetit me Shqipërinë.

Pas vizitës së ekspozitës, Kurti, i shoqëruar nga ministrja e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, zhvilloi takim të përbashkët me guvernatorët e Bankave Qendrore të Kosovës dhe të Shqipërisë, Ahmet Ismaili dhe Gent Sejko.


MË SHUME NGA Lajme