Prokuroria dhe mbrojtja përballen me replikat pas deklarimeve përfundimtare
Medina Pasoma / RTKlive
Pas përfundimit të deklarimeve përfundimtare të mbrojtjes së katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, procesi gjyqësor është duke pasuar me pyetjet e trupit gjykues dhe replikat nga mbrojtja e prokurorët.
Tieger: Mbrojtja po përpiqet të shmang rolin e vërtetë të të akuzuarve
Prokurori nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, Alan Tieger, tha se mbrojtja e katër ish-krerëve të UÇK-së i ka paraqitur ata si “njerëz me qëllime të mira të cilët nuk kishin pushtet dhe motive”.
Por ai shtoi se paraqitja në këtë formë, është përpjekje për shmangie të roleve të tyre të vërtetë gjatë luftës.
“T’i paraqesësh të akuzuarit si disa prej mijëra të tjerëve që iu bashkuan UÇK-së për të luftuar për liri, është përpjekje për t’iu shmangur roleve të tyre të vërteta, si themelues dhe anëtarë kyç të Shtabit të Përgjithshëm”, tha ai.
Tieger më tej tha se veprimet e tyre në pozitat të cilat i kanë pasur dhe përdorimi i autoritetit pasqyron “qëllimin e përbashkët kriminal dhe angazhimin e tyre ndaj tij”.
“Ata pretendonin se kishin të drejtë t’i trajtonin në mënyrë të pamëshirshme të gjithë ata që e pengonin arritjen e qëllimit të tyre. Krimet që pasuan si rezultat i tyre pasqyrohen në prova të shumta, të cilat nuk mund të shpërfillen apo mohohen. Kjo dëshmohet nga fati se ata bënë shumë përpjekje që këto prova të shikohen në mënyrë sa më të izoluar. Provat përfshijnë vite të asaj që ata kishin deklaruar se kishin bërë, po bënin dhe do të bënin”, tha ai.
Ellis: Përgjimet mos të përdoren në mënyrë selektive
Mbrojtja e Jakup Krasniqit, Aiden Ellis, tha se Prokuroria duhet që përgjimet t’i trajtojë edhe për avantazhet edhe disavantazhet dhe jo të veprojë selektivisht me to, në mënyrë që t’i shërbejnë argumenteve të tyre.
“Së pari ne themi që në qoftë se ju mbështeteni deri njëfarë mase mbi ato përgjime sikurse thamë edhe më herët paradite; ne parashtrojmë që duhet të merrni parasysh si pozitiven dhe negativen në ato. Mënyra se si i trajton Prokuroria, ajo është selektive në mënyrë të tillë që të sigurojë një vendim fajësie dhe që t’i shërbejë argumentit të vet”, tha ai.
Ellis theksoi se Prokuroria ka për detyrë vërtetimin e autenticitetit të këtyre përgjimeve.
Mishetiq: Nuk është barrë e mbrojtjes apo trupit gjykues të mbushë boshllëqet e provave të Prokurorisë
Lluka Mishetiq, avokati mbrojtës i Hashim Thaçit theksoi se nuk është detyrë e mbrojtjes apo e trupit gjykues të plotësojnë mangësitë në provat e Prokurorisë. Ai këtë e tha teksa iu përgjigjej pyetjeve të gjyqtarit Guénawl Mettraux, për kontraditat mes tyre dhe Prokurorisë për dëshminë e Bislim Zyrapit.
“Së pari duhet theksuar se barra e provës është vetëm dhe vetëm e Prokurorisë. Nuk është detyrë e trupit gjykues apo e mbrojtjes që të mbushim ne boshllëqet e provave të tyre”, theksoi ai.
Mishetiq kundërshtoi pretendimin që Zyrapi nuk ka qenë pjesë e UÇK-së, apo siç iu referohet ZPS-ja, ‘Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale’.
“Prokuroria ka thënë që Zyrapi nuk ka qenë pjesë e NPK-së edhe është lënë jashtë qëllimit të përbashkët kriminal. Megjithatë, ai ka qenë i pranishëm gjithandej”, tha ai.
Mbrojtja: E drejta ndërkombëtare lejon arrestimin e personave që janë rrezik për sigurinë
Në një konflikt të armatosur jondërkombëtar mund të arrestohen persona që perceptohen si rrezik për sigurinë, kanë deklaruar mbrojtja e Thaçit dhe Kadri Veselit duke iu përgjigjur në pyetjet e gjyqtarit Christopher Bart.
“Tetë ushtarë të armatës jugosllave përbëjnë rastin më të qartë të personave të armatosur aktivë me uniformë, të cilët u arrestuan. Kaq mund të them për këtë incident, pra ata ishin luftëtarë. Sa i përket të drejtës humanitare ndërkombëtare, konfliktit të armatosur jondërkombëtarisht, kjo është çështje që e kemi ngritur në fazën paragjyqësore. Prokuroria ka rënë dakord që UÇK ka pasur të drejtë për të parandaluar me kusht që të mos kishte abuzim apo forma tjera të paligjshme. Kjo është arsye e qartë për të paraburgosurit, luftëtarët e palës tjetër”, tha avokati i Hashim Thaçit, Lluka Mishetiq.
“E drejta ndërkombëtare humanitare për konflikte ushtarake parashikon se mund të arrestohen persona që cilëson si rrezik për sigurinë. Kemi cituar edhe shtete të mëparshme që e kanë bërë këtë”, tha në anën tjetër avokati i Kadri Veselit, Rodney Dixon.























