Tasholli: Nesër pritet marsh me mbi 200 mijë pjesëmarrës /Video
BKT
Lajme

Tasholli: Nesër pritet marsh me mbi 200 mijë pjesëmarrës /Video

Valbona Thaçi / RTKLive

Ismail Tasholli, nga platforma qytetare “Liria ka Emër”, ka deklaruar në RTK se të gjitha përgatitjet për marshin qytetar “Drejtësi, jo politikë” që do të mbahet nesër janë drejt përfundimit.

Ai bëri të ditur se kanë mbetur vetëm disa detaje teknike, të cilat do të përmbyllen pas mesnatës. “Të gjitha detajet janë në përfundim e sipër. Jemi gati që nesër zëri i qytetarëve të dëgjohet”, u shpreh Tasholli.

Sipas tij, numri i pjesëmarrësve pritet të jetë dyfish më i madh se në marshin e parë, ku morën pjesë rreth 100 mijë qytetarë. “Me siguri do të jenë rreth 200 mijë, por edhe më shumë nuk do të na befasonte, duke parë gatishmërinë e lartë të qytetarëve kudo që po shkojmë”, theksoi ai.

Tasholli nënvizoi se takimet me përfaqësues institucionalë dhe politikë kanë qenë parimore dhe të sinqerta, duke shtuar se UÇK-ja është përtej ndasive partiake. “UÇK-ja nuk është ajo që duhet të na ndajë, por pikë referimi e përbashkimit tonë si qytetarë. Është projekti më i fisëm në historinë tonë kombëtare dhe atij roli duhet t’ia japim vendin e merituar”, deklaroi ai.

Ai falënderoi të gjithë kryetarët e komunave me të cilët kanë zhvilluar takime, si dhe institucionet qendrore dhe akterët politikë me qëndrime të përbashkëta për UÇK-në.

Sipas tij, çdo komunë ka të përcaktuar pikëtakimin, orën dhe vendin e nisjes drejt Prishtinës, ndërsa autobusët janë siguruar nga kryetarët e komunave. Ai theksoi se edhe diaspora ka shprehur gatishmëri të madhe për pjesëmarrje, me raste të qytetarëve që kanë ardhur posaçërisht për marshin.

“Qytetaria është pjesa më e rëndësishme e demokracisë liberale. Prokuroria në Hagë thirret në emrin tonë dhe, meqë ka thirrur në emrin tonë, nesër është radha që të na dëgjojnë. Do ta japim zërin qytetar, atë meritor për drejtësi dhe kurrsesi politik”, përfundoi Tasholli.


MË SHUME NGA Lajme