Ekstradohet nga Zvicra në Kosovë, i kërkuari me urdhërarrest ndërkombëtar
Gentiana Kelmendi/RTKlive
Policia e Kosovës ka ekstraduar nga Zvicra një shtetas kosovar të kërkuar për “Vrasje në tentativë”, i cili tani po përballet me procedurat ligjore në vend.
Përmes Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor dhe në bashkëpunim me njësitet tjera relevante dhe institucionet e drejtësisë, Policia e Kosovës më 16.02.2026 realizoi ekstradimin e një shtetasi kosovar nga Zvicra.
I dyshuari ishte arrestuar nga autoritetet zvicerane pasi kërkohej me urdhër-arrest ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e Kosovës për veprën penale “Vrasje në tentativë” dhe i kishte shpëtuar drejtësisë.
Pas ekstradimit, i dyshuari iu dorëzua njësive përkatëse policore për procedurat e mëtejshme ligjore.
Policia e Kosovës do të vazhdojë shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare për parandalimin, hetimin dhe zbulimin e aktiviteteve kriminale, si dhe për gjurmimin dhe arrestimin e personave dhe grupeve kriminale brenda dhe jashtë vendit.























