18-vjetori i Pavarësisë në Tokio, thellohet partneriteti me Japoninë
BKT
Lajme

18-vjetori i Pavarësisë në Tokio, thellohet partneriteti me Japoninë

M.Shefkiu/RTKLive

Në një ceremoni solemne të organizuar në Tokio, Ambasada e Republikës së Kosovës në Japoni shënoi 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, në praninë e përfaqësuesve të lartë japonezë, trupit diplomatik, komunitetit akademik, biznesit dhe bashkatdhetarëve.

Në fjalën e tij, Ambasadori i Kosovës në Japoni, Sabri Kiçmari, rikujtoi shpalljen e pavarësisë më 17 shkurt 2008 dhe progresin e vendit në konsolidimin e institucioneve demokratike, sundimin e ligjit dhe zhvillimin ekonomik. Ai vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Japonisë, duke përmendur njohjen e Kosovës më 18 mars 2008 si një gurthemeli i miqësisë mes dy vendeve.

Ambasadori Kiçmari theksoi gjithashtu rëndësinë e vizitave të nivelit të lartë dhe projekteve të përbashkëta, përfshirë pjesëmarrjen e Kosovës në Expo 2025 Osaka, vizitën historike të Ministres së Jashtme të Japonisë në Kosovë në 2024, akreditimin e Atasheut të parë të Mbrojtjes dhe hapjen e Konsullatës së Nderit në Prefekturën Yamanashi, me plane për zgjerim konsullor në rajonin Kansai.

Në fjalimet e përfaqësuesve japonezë, u rikonfirmua mbështetja për stabilitetin dhe zhvillimin e Kosovës, u theksua thellimi i bashkëpunimit ekonomik, përfshirë investimin japonez në fabrikën më të madhe të kërpudhave shiitake në Evropë, dhe rëndësia e Kosovës për paqen dhe prosperitetin në Ballkanin Perëndimor.

Ceremonia reflektuan lidhjet gjithnjë e më të forta politike, ekonomike, kulturore dhe arsimore midis Kosovës dhe Japonisë, duke vënë në pah një partneritet të qëndrueshëm dhe perspektivë bashkëpunimi për të ardhmen.


MË SHUME NGA Lajme