Shkurte Fejza: “17 shkurti nuk është vetëm festë, por kujtesë e sakrificës
BKT
Lajme

Shkurte Fejza: “17 shkurti nuk është vetëm festë, por kujtesë e sakrificës

Kaltrina Rexhepi/RTKlive

Këngëtarja e njohur Shkurte Fejza, e ftuar në emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK, ka thënë se përvjetori i shpalljes së pavarësisë së Kosovës është një ditë që zgjon emocione të forta, duke bashkuar gëzimin e festës me dhimbjen dhe kujtesën e sakrificës.

“17 shkurti nuk është thjesht një festë, është një përgjigje për ato që kemi përjetuar, sidomos gjatë ditëve të luftës. Është fat që sot përjetojmë lirinë dhe festën, por me shumë plagë dhe dhimbje në zemër, sidomos ata që kanë familje të zhdukur dhe dëshmorë”, ka thënë Fejza.

Ajo shtoi se Kosova për të nuk është vetëm atdheu, por edhe ndërgjegjja e saj si artiste, duke shprehur krenarinë që përmes muzikës ka kontribuar në rrugëtimin drejt lirisë, rezultat i sakrificës së madhe të popullit.

Këngët e Shkurte Fejzës, të kënduara në periudha të ndryshme historike, tashmë konsiderohen pjesë e kujtesës kolektive të Kosovës. Ajo theksoi se secila prej tyre mbart një histori dhe një pjesë të shpirtit të saj, duke përmendur edhe këngë simbolike si “Xhamadani Vija-Vija”.

“Kam kujdes kur t’i dëgjoj sepse ngjallin dhimbje dhe emocion”, u shpreh Fejza, duke rikujtuar sfidat dhe përvojat personale që lidhen me krijimtarinë e saj dhe historinë e vendit.


MË SHUME NGA Lajme