Osmani: Sot më shumë se kurrë e kemi për detyrë të qëndrojmë bashkë
Valmira Saraçi|RTKlive
(E plotësuar 11:20) Në Kuvendin e Kosovës po mbahet seanca solemne për nder të 18 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Si mysafir special, krah presidentes së shtetit, Vjosa Osmani është edhe presidenti i shqiptar, Bajram Begaj e përfaqësuesi i familjes Jashari, Rifat Jashari.
Presidentja e shtetit, Vjosa Osmani, tha se çdo përpjekje për të barazuar luftën çlirimtare me krimet e regjimit gjenocial të Serbisë, jo vetëm që e minon drejtësinë, por dëmton rëndë edhe themelet e paqes afatgjate në rajon.
Ajo tha se lufta e UÇK-së ishte shtylla më e fuqishme e rezistencës dhe e shpresës, e kjo e vërtetë historike, sipas Osmanit, është themel i shtetit, dhe nuk mund të zhbëhet nga asnjë përpjekje për rishkrim apo deformim të historisë.
“Sot më shumë se kurrë e kemi për detyrë të qëndrojmë së bashku, asnjë dallim i yni i së kaluarës apo i së tashmes nuk guxon të jetë pengesë në unitetin tonë, në mbrojtje të luftës tonë çlirimtare, sepse kështu e mbrojmë pastërtinë e lirisë, pavarësisë dhe vetë ekzistencën e shtetit tonë. Sepse mbi çdo dallim ekziston përgjegjësia jonë e përbashkët për ta mbrojtur këtë shtet i cili është rezultat i një sakrifice shekullore. Duke e mbrojtur të vërtetën, ne mbrojmë vetë shtetësinë tonë, dhe këtë do ta bëjmë sa të jetë jeta, sepse lufta jonë çlirimtare ishte betimi i përgjakur i një populli që deshi të jetojë i lirë në tokën e vetë”.
Presidentja tha se Kosova u bë shtet për ta mbrojtur të vërtetën dhe për të mos lejuar kurrë që historia të rishkruhet në dëm të atyre që sakrifikuan gjithçka. “E populli i Kosovës sakrifikoi gjithçka deri edhe fëmijët në djep, në mënyrë që ne sot ta gëzojmë lirinë. Prandaj nuk do ta pranojmë asnjëherë në Kosovë e kudo në botë ndonjë narrativë që barazon agresorin me viktimën, pushtuesin me të pushtuarin e krimin me rezistencën për lirinë”, deklaroi Osmani.
Osmani: Pavarësia e Kosovës u fitua me mund, gjak, sakrificë e durim
Gjithashtu përveç përfaqësuesve të popullit, kabinetit qeveritar në krye me shefin e Qeverisë Albin Kurti, të pranishëm janë edhe shumë mysafirë, ambasador ë akredituar në Kosovë, delegacion i deputetëve nga Britania e madhe, delegacioni Arbresh e përfaqësues nga Garda e Ioëa-s, si dhe prijës fetarë.
Seanca nisi me intonimin e himnit të Kosovës.
Presidentja, Vjosa Osmani në foltoren që sot të vendosur ka mbishkrimin e tri shkronjave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tha se 18 vjet më parë Kosova u ngrit nga vuajtja në dinjitet e nga rezistenca në shtetësi, duke dëshmuar kështu se liria e fituar me sakrificë është e përjetshme.
“18 vjet më parë Kosova u shpall shtet i lirë, i pavarur e sovran, duke i dhënë fund një udhëtimi të gjatë e të dhimbshëm, por edhe duke hapur një kapitull të ri të historisë sonë kombëtare. Pavarësia e Kosovës u fitua me mund, me gjak, me sakrificë e durim shekullor, ajo u ndërtua nga ata që u persekutuan, u burgosën, u dëbuan u luftuan, por asnjëherë nuk u nënshtruan. Sot me respektin më të thellë përulemi para kujtimit të të gjithë atyre burrave e grave që ranë për këtë ditë në mënyrë që Kosova të jetë Republikë”, deklaroi Osmani në fillim të fjalimit të saj në seancën solemne për nder të 18 vjetorit të shtetësisë.























