Begaj: Udhëheqësit e lirisë përballen me akuza të montuara
Valmira Saraçi|RTKlive
Presidenti shqiptar, Bajram Begaj, gjatë fjalës së tij në seancën solemne në 18 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, tha se ata që dje udhëhoqën popullin drejt lirisë, sot po përballen padrejtësisht me akuza të montuara në gjykatën ndërkombëtare.
“Duke na bërë të gjithëve të ndihemi të fyer, të paragjykuar e të akuzuar”, deklaroi Begaj.
Kreu u shtetit shqiptar tha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe gjithë të tjerët që morën armët për të kërkuar lirinë për atdheun e tyre janë simbol i lirisë, memorie shtetërore e kombëtare.
“Historia e Republikës së Kosovës nuk mund të kuptohet as të shkruhet pa emrat e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit e bashkëluftëtarëve të tyre”, tha tutje ai.
Begaj tha se sot është një ditë e madhe, kur Kosova mbush 18 vjet.
“Në jetën e një njeriu, kjo është mosha e pjekurisë, momenti kur ëndrrat e fëmijërisë marrin formën e përgjegjësisë, në jetën e një shteti ky përvjetor është dëshmia se Republika e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm, një shtet sovran. Kosova ishte vendi ku liria vritej, sot është vendi ku liria funksionon. Kosova e sotshme është në shtet i ri në vite, por në rrënjë të thella sakrificash, kontributesh e meritash. Ajo ecën me hapa të sigurt drejt së ardhmes pa harruar kurrë themelet mbi të cilët u ndërtua”, deklaroi Begaj.
Tutje shefi i shtetit shqiptar kujtoi intelektuale, studentë, mendimtarë e luftëtarë që tha se u bashkuan rreth idealit dhe idesë së pavarësisë dhe luftuan me sukses, për ideale të mëdha për lirinë, të drejtat e tyre, identitetin kombëtar shqiptar dhe mbijetesën.
“Nga mençuria dhe vizioni paqësor e largpamës i presidentit Rugova, që i dha Kosovës miqtë, orientimin euroatlantik dhe besimin në vlera, nga Adem Demaçi që me sakrificën e tij për liri e bashkim u shndërrua në ndërgjegje kombëtare, te pushka trimëria e heroizmi i heroit tonë kombëtar, Adem Jashari, dhe lufta e drejtë çlirimtare e UÇK-së, që i dha Kosovës lirinë. Ky popull ka treguar se është qëndrestar dhe i pathyeshëm. Kosova ishte me fat që i pati, i rriti, i besoi dhe sot i mbanë ashtu siç e meritojnë simbole frymëzuese të Republikës”, tha Begaj.























