Tri mrekullitë e Kosovës sipas Tahirit: Lufta, pavarësia dhe konsolidimi
BKT
Lajme

Tri mrekullitë e Kosovës sipas Tahirit: Lufta, pavarësia dhe konsolidimi

Kaltrina Rexhepi/RTKlive

Në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, me rastin e 18-vjetorit të shpalljes së Republikës, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri tha se ky përvejtor është moment reflektimi dhe përgjegjësie historike për të gjithë.

Ai kishte një mesazh për brezat e rinj, duke i ftuar të mos e marrin lirinë si diçka të mirëqenë.

“Sot, kur po shënojmë ditëlindjen e 18-të të Republikës së Kosovës, dua t’u flas veçanërisht atyre vajzave dhe djemve që në këtë kohë mund të mos kenë përkujtimin e jetës së tyre. Shpesh herë, një pjesë e madhe e tyre lirinë që e gëzojmë sot e marrin si të mirëqenë, por jo, liria dhe shtetësia duhet ta dijë secili se ka ardhur me sakrificë të madhe, me një vetëmohim, me një humbje të madhe dhe një qëndresë të palëkundur të gjeneratave të këtij vendi dhe të këtij kombi”, tha Tahiri.

Ai theksoi se sakrifica e popullit të Kosovës, nga dëshmorët e rënë e deri te brezat e sotëm, po vihet në sprovë edhe në kohët aktuale, duke përmendur proceset gjyqësore në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Ne besojmë se ata do të shpallen të pafajshëm,” deklaroi ai.

Tahiri foli edhe për atë që e quajti “tri mrekullitë kombëtare” mbi të cilat, sipas tij, qëndron themeli i shtetit të Kosovës. "Lufta e UÇK-së, e cila solli çlirimin përfundimtar dhe lirinë që kurrë s’e kemi pasur të plotë në këtë tokë dhe në këtë vend. Shpallja dhe njohja e pavarësisë së Kosovës si shtet i pavarur, demokratik dhe multietnik, e cila është arritja më e madhe kombëtare. Dhe konsolidimi i plotë i shtetit në organizmat ndërkombëtarë, i cili sipas Tahirit, nuk është realizuar ende plotësisht".

Fjalimi i tij u shndërrua në një thirrje për kujtesë, unitet dhe angazhim të vazhdueshëm për forcimin e shtetit, duke mos harruar kurrë çmimin e lirisë.


MË SHUME NGA Lajme