Visoka: Kosova po ec drejt konsolidimit të plotë ndërkombëtar
BKT
Lajme

Visoka: Kosova po ec drejt konsolidimit të plotë ndërkombëtar

Berianë Mustafa / RTK-Radio

Në një kohë kur rendi ndërkombëtar po kalon transformime të thella, nga përçarjet mes fuqive të mëdha deri te rishikimi i parimeve tradicionale të diplomacisë dhe sigurisë, pozicioni ndërkombëtar i Kosovës mbetet një nga çështjet më komplekse në Ballkanin Perëndimor.

Njohja selektive, dialogu me Serbinë, roli i SHBA-së, BE-së, Rusisë dhe Kinës, si dhe sfidat e brendshme të reformave dhe sundimit të ligjit, po e formësojnë rrugëtimin e shtetit të Kosovës drejt konsolidimit të plotë ndërkombëtar. 

Kështu thotë për Radio Kosovën  analisti dhe profesori i  marrëdhënieve ndërkombëtare  në Dublin City University, në Irlandë, Gëzim Visoka.

Radio Kosova: Zoti Visoka,  nëse analizojmë ndikimin e njohjes ndërkombëtare selektive (nga disa shtete, jo të gjitha) mbi legjitimitetin e Kosovës në institucionet globale. Si ndryshon kjo situatë krahasuar me shtetet e reja të pavarura në Evropë pas Luftës së Ftohtë?

Gëzim Visoka: Po meqë ne nuk jemi të njohur universalisht ose kolektivisht, kjo ka ndikuar në imazhin dhe në legjitimitetin  ndërkombëtar të Kosovës. Në një anë ka ndikuar në bllokimin e anëtarësimit të Kosovës në OKB dhe në trupa të tjera ndërkombëtarë, por edhe e ka komplikuar rrugëtimin e Kosovës në shumë aspekte për sa i përket pjesëmarrjes, qasjes, barazisë, në sistemin ndërkombëtar, edhe e ka vënë në kategorinë e shteteve të kontestuara ose vendeve të dorës së dytë në rendin botëror.

Radio Kosova: Zoti Visoka, dialogu Beograd–Prishtinë ka transformuar ose penguar konsolidimin institucional dhe sigurinë e brendshme të Kosovës. A mund të shihet ky proces si një shembull i efektivitetit të diplomacisë rajonale?

Gëzim Visoka: Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga BE-ja, ka pasur në njëfarë forme ndikim të dyfishtë. Në fillim ka pasur ndikim pozitiv, mund të themi diku vetë 25 njohje, ndërmjet vitet 2011-2014 kanë qenë të kornizum në një formë ose tjetër si shpërblim ose si shpagim për qasjen konstruktive të Kosovës në dialog. Mirëpo, kur arritën në temat e vështira apo kur arritën disa ngërçe politike, kemi parë që dialogu ka pasur ndikim negativ. Në këtë drejtim, e kanë ngadalësuar rrugën evropiane për Kosovën dhe i ka dhënë hapësirë Serbisë të shfrytëzojë dialogun si vegël për ta bllokuar njohjen dhe anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare. Në njëfarë forme qasja perëndimore  ka qenë që Serbia të normalizohet së pari, e pastaj ndoshta njohje. Kjo paradigmë i ka shërbyer mirë Serbisë sepse i ka dhënë hapësirë për të bllokuar Kosovën, për të vazhduar dialogun. Por të kishin një paradigmë tjetër, ta zëmë njohja në fillim e pastaj normalizim më vonë, kuptohet se do ishte më bashkëpunuese, ndoshta më gjeneroze dhe do kishte parë përparim në shumë fusha, për sa i përket pakicave, çështjeve bilaterale. Nëse do ishte  zgjidh çështja e statusit të Kosovës, dialogu do ishte kryesisht për çështje teknike ose politike bilaterale. Por përderisa njohja nuk vendoset në fillim ose në qendër të procesit, kemi hapësirë për keqpërdorim të dialogut nga ana e Serbisë për të arritur qëllimet e tyre, që nuk janë ndoshta në gjendje në funksion të paqes ose stabilitetit rajonal.

Radio Kosova: Si e vlerësoni rolin e faktorëve gjeostrategjikë globalë (SHBA, BE, Rusia, Kina) në përforcimin ose dobësimin e konsolidimit ndërkombëtar të Kosovës?

Gëzim Visoka: Po, përkrahja nga SHBA-ja  dhe vendet e rajonit dhe BE-së ka shërbyer si mburojë për Kosovën, mirëpo përçarja ndërmjet SHBA-së dhe Rusisë, ndoshta më vonë edhe Kinës, ka ndikuar relativisht në statusin ndërkombëtar të Kosovës. Kur fuqitë e mëdha janë të përçara edhe ambiciet e vendeve si Kosova duhet të jenë ndoshta më shumë të karakterit të integrimit rajonal sesa global. Edhe ekziston rreziku që mund të jemi edhe si epiqendër e tensioneve mes fuqive të mëdha. Gjithë në këtë drejtim, mendoj që sa më e fragmentuar që është korniza ndërkombëtare ose fuqitë e mëdha, aq më të ekspozuar do jemi ne si vend që nuk kemi shtetësi të kompletuar.

Radio Kosova: Z. Visoka, cilët janë mekanizmat kryesorë të ndikimit të këtyre shteteve që megjithatë janë fuqitë kryesore në botë sot?

Gëzim Visoka: Po vetoja është dhe kemi të bëjmë me ndikimin e tyre në vendet e tjera.  Aktualisht, korniza e legjitimimit ndërkombëtar si dhe të drejtë anëtarësimit në OKB dhe e dimë që pa përkrahjen ruse dhe kineze, Kosova nuk mund të pranohet në OKB. Në rastin e dytë, ato vende kanë një farë forme satelitët ose kanë një qendër të  ndikimit, kanë një rrjet shtetesh që i konsideron si aleatë dhe ato vende mund të hezitojnë tani për Kosovën ose votojnë në favor të saj. Edhe pastaj kemi edhe anën tjetër që  këto vende mund të kenë qasje armiqësore ndaj Kosovës, duke përkrahur, të themi, Serbinë ose nxitur fushata dezinformuese ose gjetur mundësi të tjera për të minuar shtetësinë e Kosovës nga distanca ose përmes mekanizmave hibridë.

Radio Kosova: Z. Visoka, ju përmendët veton, po a mundet Rusia në një të ardhme që në shkëmbim të territoreve cilat i ka aneksuar në Ukrainë, të përdor çështjen ose kartën e mos-vendosjes së vetos për ta njohur pavarësinë e Kosovës në shkëmbim të atyre territoreve të aneksuara në Ukrainë?

Gëzim Visoka: Po ke të drejtë. Shpesh përmendet si një nga veglat ose elementet e një koncesionit të madh gjeopolitik mes SHBA-së, Evropës dhe Rusisë, ku do të kishte një koncesion që Serbia ose Rusia në këtë rast të mos vendosë veto për anëtarësimin e Kosovës në OKB në shkëmbim të legjitimitetit territorial ose njohjeve të vendeve si Abkazia ose Osetia e Jugut në shkëmbim. Pra, këto mundësi ekzistojnë në këtë farë kutie të diplomacisë të fuqive të mëdha edhe varet tash kur kthehet në diskutim. Ne e dimë që Kosova ka qenë një nga temat e tensionimeve të marrëdhënieve SHBA-Rusi ndër vite edhe e dimë që Rusia nuk është në një farë forme parimore në bllokimin e Kosovës, më shumë ka të bëjë me përdorimin e Serbisë dhe Kosovës si një mjetë ose vegël për të shkëmbyer me SHBA-në diçka në të ardhmen ose për të ndikuar dhe për të definuar ndikimin e saj në rajon. Kështu që nuk mendoj që Rusia është parimore ose e interesuar për ta bllokuar Kosovën , por e përdor  atë si instrument për të nxjerrë diçka nga perëndimi

Radio Kosova: Z. Visoka, nëse krahasoni strategjitë e Kosovës për integrim në organizata ndërkombëtare me ato të vendeve të tjera të Ballkanit, cilat politika kanë pasur më shumë sukses dhe pse?

Gëzim Visoka: Vendet e tjera të rajonit janë raste më të ndryshme, ngase ato kanë kaluar përmes proceseve të sukcesionit, aderimit më të lehtë dhe të shpejtë në organizatat ndërkombëtare, për shkak se janë konsideruar si republika edhe kur janë përfshirë në procesin e Badinterit, kanë qenë në një rrugëtim tjetër ligjor. Ne kemi qenë më mbrapa, jemi më mbrapa edhe si i tillë, procesi ynë ka qenë shumë më i vështirë. Këto vende të tjera e kanë pasur shumë më lehtë aderimin në këto organizata ndërkombëtare me mekanizma, anëtarësimin, sepse kanë pasur njohjen e ndërsjellë me Serbinë, ose me Republikën Federative të Jugosllavisë në atë kohë, ndërsa në rastin tonë, përderisa Serbia nuk na njeh, mbetemi edhe konsiderohemi si vend i kontestuar dhe kjo pasqyrohet në pikëpamjen e këtyre organizatave kur ne kërkojnë anëtarësim. Në këtë kontekst pastaj çështja e Kosovës ka qenë të gjejmë rrugë të tjera, alternative, përmes lobimit, përkrahjes bilaterale të vendeve mike, të sigurojmë votat e mjaftueshme, të gjejmë procedura kreative për anëtarësim. Kemi arritur sukses deri në një masë në anëtarësimin e disa mekanizmave rajonalë, por s'kemi mundur që të kyçemi, të themi mesatarisht në sistemin ndërkombëtar, përveç dy rasteve, që janë Banka Botërore dhe FMN-ja. E dimë që kemi pasur dështim në UNESCO. Në rajon ose në rrafshinë rajonal, jemi ende në proces të anëtarësimit në Këshill të Evropës, jemi në fazë të hershme, por në çdo organizatë në krahasim me vendet e rajonit, ne e kemi pasur shumë më të vështirë. E dimë që vendet si Bosnja ose Mali i Zi, i janë dashur disa vite për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës, por në fund e kanë përfunduar këtë proces. Te rasti i Kosovës duket që kemi vazhdimisht edhe gjithherë më shumë barriera.

Radio Kosova:  Nëse analizojmë ndikimin e zhvillimeve globale, si tensionet midis SHBA-së dhe Rusisë, ndryshimet në politikat e NATO-s dhe sfidat e BE-së, mbi perspektivën e stabilitetit dhe konsolidimit të shtetit të Kosovës.

Gëzim Visoka: Po, këto ndryshimet e mëdha globale që po ndodhin për momentin mund t’i ofrojnë  Kosovës edhe mundësi për edhe ekspozim ndaj rreziqeve. Vendet e kontestuara, siç thashë më herët, zakonisht janë në zonat e konfrontimit me fuqitë e mëdha kur ka rrethana të konfrontimit global. Tensionet me ShBA-në dhe disa vendeve të BE-së, rreth Grenlandës dhe vendeve të tjera, duke se kanë ndikuar disi në një simbolikë në prishjen e unitetit brenda NATO-s ose të paktën fragmentimit të unitetit. Fatmirësisht s'kemi parë ndonjë ndikim te NATO-ja, ose prezenca e KFOR-it në Kosovë. Por duhet të bëhemi gati që në rast se kemi ndryshime në kontributin e vendeve të NATO-s, Kosova të ketë një plan B se si të sillet Kosova në këtë ambient. Edhe në këtë drejtim, fuqizimi  ushtarak ose armatimi i Kosovës është hapi i duhur për t’u përshtatur me ndryshimet globale, sepse mund të vijë deri te një situatë ku prezenca e shteteve të NATO-s në këtë formë mund të reduktohet tutje dhe mund të lënë një boshllëk që mund të keqpërdoret nga akterët transnacionalë. Aktualisht, KFOR-i ka një prezencë të mjaftueshme dhe është me përbërje nga vendet që janë mike, të ShBA, ka numër më të madh, pastaj është Hungaria, Turqia, Shqipëria ka arritur shumë prezencën në KFOR. Edhe këto janë një farë forme parametra të mirë që dëshmojnë që nëse kemi ndonjë  tërheqje të SHBA-së nga NATO në Evropë, vendet evropiane dhe rajonale do të sigurohen që të jenë prezentë në Kosovë e t'i ndihmojnë Kosovës në këtë fazë ku jemi.

Radio Kosova: Z. Visoka, marrë parasysh që shumë shtete të fuqishme evropiane, po e them kushtimisht në këtë sferë, kanë refuzuar të nënshkruajnë që të jenë pjesë e Bordit të Paqes, a mund të cilësohet, që Kosovë si nënshkruese e kësaj marrëveshje, ndoshta  të shihet si një veprim që do duhej  matur më shumë për mos ta nënshkruar një gjë të tillë, apo thjesht është një veprim i mirë që është bërë?

Gëzim Visoka: Në lexim të menjëhershëm dhe afatshkurtër, mendoj që është një veprim pragmatik dhe i duhur që ka bërë Kosova, sepse të paktën mund të mitigojmë ose tërheqim ndikimet negative që mund të vijnë nga administrata e Trumpit në Ballkan. Sa më afër që jemi Trumpit edhe sa më afër që jemi nismave që ai i përkrah, ndoshta i ofron Kosovës një siguri relative në raport me ambiciet e Serbisë. Në këtë drejtim jetojmë në një kohë ku kemi ndryshime radikale të rendit botëror, ku rregullat, parimet kanë ndryshuar në një mënyrë të shpejtë. E di që koha ka qenë shumë e kufizuar për përgjigje për pjesëmarrje dhe ndoshta nuk është bërë në një analizë të thellë, por në një kuptim, ky bord i paqes ka një mandat nga OKB, që është për armëpushimin për Gaza, edhe pse mandati i këtij bordi të paqes duket që tejkalon atë që është paraparë në mënyrë parimore në fillim, do të varet krejt çka mund të ndodhë tutje. Por mendoj që në parim është një mundësi për Kosovën që të jetë vend i barabartë edhe të lobojë për njohje dhe anëtarësim në OKB brenda këtij trupi të krijuar nga Trumpi. Të kemi parasysh që Trumpi ka fuqinë për ta futur Kosovën me shpejtësi në NATO, mund të ketë ndonjë marrëveshje të madhe siç the më herët me Rusinë për ndryshime gjeopolitike edhe kur je afër me një marrëveshje dhe kur je pjesë e këtij trupi të Bordit të  Paqes, ndoshta i ofron Kosovës një hapësirë për të qenë pjesëmarrëse, e jo objekti i diskutimeve për të.

Radio Kosova:  Z. Visoka, si e vlerësoni ndikimin e diasporës dhe lobimit ndërkombëtar në forcimin e shtetësisë së Kosovës?

Gëzim Visoka: Po, në vendet kryesore, në SHBA e në disa vende të tjera të Evropës, diaspora është aktive dhe në njëfarë forme është motor i fuqishëm i mbrojtjes së interesave të Kosovës. Në veçanti në SHBA mund themi në këtë kohë ku gjendemi, por ka indice që kemi edhe përçarje të diasporës, kemi shumë nëndegëzime të saj, dhe për të rritur ndikimin mendoj që duhet të rritet bashkëpunimi dhe të unifikohet diaspora.  Për vende si Kosova, që është jashtë OKB-së, puna me diasporën, diplomacia e diasporës, por edhe lobimi përmes kompanive private janë esenciale për të ruajtur relevanten dhe mbrojtën e interesave vitale.

Radio Kosova: A mund të konsiderohet kjo një strategji e qëndrueshme afatgjatë?

Gëzim Visoka: Po, duhet të jetë afatgjatë. Edhe vendet që janë anëtare të OKB-ës, si Irlanda, shpesh bazohet në fuqinë e diasporës, ndikimit të tyre për të avancuar interesat shtetërore. Edhe kjo ndodh kryesisht për çështje tregtare, çështje të sigurisë, çështje bilaterale. Diaspora duhet  të përdoret si siguri edhe si mekanizëm i fuqishëm për të mbrojtur Kosovën në të gjitha rrethanat, pra  edhe jashtë, kur kemi të bëjmë me çështje si  OKB-ja, po edhe brenda në në të ardhmën. Është një aset që duhet të shihet si një zgjatje e shërbimit diplomatik, si një forcë e fuqishme për interesa të Kosovës.

Radio Kosova: Z. Visoka, a mund tëë flasim për një konsolidim të sukseshëm të shtetit të Kosovës nëse nuk kemi reforma, po i referohemi qeverisjes, sundimit të ligjit, sigurisë. A është e mundur një konsolidim ndërkombëtar i suksesshëm pa reforma të brendshme të thella?

Gëzim Visoka: Po në rendin ndërkombëtar që po e lëmë pas, që është bazuar kryesisht në disa rregulla dhe në disa parime liberale, ai rend është duke u tejkaluar, me një rend të ri autoritar. Kështu që jemi në një tranzicion ndërkombëtar ku kemi anashkalim të normave dhe principeve ndërkombëtare  mbi të cilat Kosova është ndërtuar edhe është munduar të promovojë vetveten si demokraci, sundim të ligjit. Kështu që mendoj që aktualisht kemi konsiderata më të mëdha për stabilitet dhe mbrojtje se sa për qeverisje të mirë dhe drejtat e njeriut. Kështu që për Kosovën është me interes m’i ruajt të dyja, me pas një interesim që reflekton stabilitet dhe kapacitet për prodhim të sigurisë, që është edhe avantazh për mbrojtje nga Serbia, por edhe për të dëshmuar që është e gatshme të anëtarësohet në NATO, Interpol dhe trupa të tjerë. Por është me rëndësi të punojë në përmirësimin e lëvizjes së lirë dhe sundimit të ligjit, faktorë esencialë për anëtarësim në BE ose në Këshillin e Evropës. Kështu që duhet të kemi qasje dualiste ku reflekton stabilitet, por edhe demokraci e sundim të ligjit.

Radio Kosova: Në kontekstin e sotëm të zhvillimeve, shpesh ka pasur deklarata nga zyrtarë amerikanë që është më se e nevojshme anëtarësimi i Kosovës në NATO. Duke marrë parasysh raportin Trump-Putin, por natyrisht duke mos anashkaluar as Kinën asnjëherë, sidomos edhe raportet me zhvillimin me Tajvanin, a është e mundshme të presim anëtarësim të Kosovës në një të ardhme të afërt, tre, pesë vjeçare?

Gëzim Visoka: Po, ka shanse të mira  dhe ai duhet të jetë fokusi i Kosovës. Nëse futemi në mburojën e mbrojtjes kolektive të NATO-s, do të ndryshonte edhe kalkulimet e Serbisë edhe të Rusisë, por edhe vendeve të tjera nëse kanë ambicie territoriale ndaj Kosovës. Kështu që nuk mendoj që është vitale për Rusinë dhe Kinën nëse Kosova anëtarësohet në NATO. Dihet shumë mirë që këto vende e dinë që Kosova është në sferën euroatlantike edhe si e tillë nuk mund të paraqet një rrezik as për Serbinë, as për Rusinë dhe Kinën. Kështu që nuk mendoj që do të këtë ndonjë problem të madh, më shumë kemi të bëjmë me kalkulimet shkurtpamëse të vendeve si Greqia, Rumania, Qiproja dhe Sllovakia, sesa ndonjë konsideratë më të madhe për të ruajtur ose balancuar kundrejt reagimeve kineze ose ruse në një rast kur të anëtarësohet Kosova në këtë organizatë.

Radio Kosova: Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat përveç Kosovës, janë shtetet të konsoliduara,  pjesa dërmuese e tyre janë edhe pjesë e NATO-s. Si po arrin  këto vende të sillen në këto zhvillime gjeostrategjike? 

Gëzim Visoka: Përveç Bosnjës, vende të tjera në rajon duket që janë stabile, nuk kanë ndonjë kërcënim ose rrezik që mund t’u vijë nga këto ndryshimet radikale. Janë vende që nuk janë në radarin e Trumpit, edhe si tilla mund të preken nga ndikimi sekondar, ta zëmë nga tarifat ose nga ndonjë  jostabilitet rajonal ose evropian, po në kuptimin direkt nuk duket që janë tema për Trumpin. Bosnja është rast shumë i ndjeshëm, ngase duket që lobimi serb dhe i afërt me Trumpin është shumë efektiv dhe kanë arritur të penetrojnë në administratën e Trumpit për ta larguar nga lista e zezë Millorad Dodikun  dhe për të promovuar shtetësinë e Republikës Serbe si një rast për mbrojtjen e të krishterëve kundër myslimanëve. Këtu kemi të bëjmë edhe me një farë lidhje me Hungarinë që janë aleanca autoritare me Trumpin dhe si e tillë, Bosnja mund të jetë e ekspozuar territorialisht nga këto ndryshime. E tash Kosova, e cila aktualisht nuk është në radarin e Trumpit, përveç që  ai aludon që ka arritur një paqe ndërmjet Kosovës e Serbisë, që ende duhet të kuptojmë se çka përbën kjo, por aktualisht kemi mbijetuar mirë në vitin e parë të presidencës së tij dhe tash duhet të vazhdojmë  qasjen e kujdesshme, balancuese, derisa të përfundojë mandate i Trumpit  dhe pastaj të shohim një qartësi më afatgjatë të rreshtimit  të SHBA-së në Evropë dhe në botë.

Radio Kosova: Z. Visoka, këto ditë mediet në Kosovë dhe Serbi kanë shkruar se diku në  mars-prilli mund të pritet një dokument që mund të vije sërish nga SHBA-ja që do t'i vendoste dy vendet para aktit të kryer, për njohje reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.  Jeni optimist që mund të ndodhë diçka, ose a besoni që mund të ketë një epilog marrë parasysh që presidenti Trump nuk është një president jokonvencional?

Gëzim Visoka: Po, pajtohem! Nuk kam pa diçka të tillë konkretisht, nuk kam parë ndonjë dokument ose ndonjë non-paper, por duke pasur parasysh se si ai qaset paqebërjes në muajt e kaluar, nuk mund të përjashtoj mundësinë që të kemi një marrëveshje paqe të shkurt, një paqe që e cila do t'i paraqiste parametrat kryesorë të marrëdhënieve Kosovës-Serbi. Ndoshta të imponuara, ndoshta me ndonjë  negocim, gjithmonë të imponuara, por gjithmonë me pjesëmarrjen e palëve. Pra, nuk mund të përjashtoj mundësinë që mund të vije diçka e tillë. Rreziku është që këto marrëveshje që po nënshkruhen nga  Trump janë duke kalipsuar ose duke u rrëzuar shpejt. P.sh marrëveshjet mes Tajlandës dhe Kamboxhës, duket që është e paqëndrueshme, kjo në Gaza është ende në pikëpyetje dhe disa të tjera marrëveshje që Trumpi i ka nënshkruar duket që, nuk janë të qëndrueshme. Kështu që  duhet të jemi të hapur ndaj mundësive që vijnë nga Trumpi, por edhe kujdesshëm që mos të vije edhe  ndonjë imponim që nuk mund t'i themi jo edhe si i tillë mund të ketë pasoja afatgjata për Kosovën.

Radio Kosova: Z. Visoka, sfidat ekonomike dhe sociale që lidhen me konsolidimin ndërkombëtar të Kosovës, si ndikojnë këto në kapacitetin e shtetit për të marrë një rol më aktiv në marrëdhëniet ndërkombëtare?

Gëzim Visoka: Kosova është një vend i vogël me ambicie paqedashëse,  me një karakter të përcaktuar nga vetvetja dhe përderisa mund të mbetet vend demokratik me ekonomi të qëndrueshme, edhe pse është ekspozuar nga inflacioni dhe problemet me energji dhe me punësim, mund të mbijetojë siç është në gjendjen aktuale. Por anëtarësimi dhe njohja do t’i fokusonte te siguria e brendshme edhe do t'i hapte mundësi për të pasur qasje në trupa ndërkombëtarë përmes kredive, përmes pjesëmarrjes, përmes përfitimeve që dalin. Por nuk do të thotë që nuk mund të mbijetojë ose nuk mund të zhvillohet siç është tani jashtë sistemit të OKB-së.

Radio Kosova:  Z. Visoka, parë nga perspektiva e të ardhmes, cilat janë rreziqet dhe mundësitë kryesore për konsolidimin ndërkombëtar të Kosovës në 10 vitet e ardhshme, duke marrë parasysh zhvillimet globale dhe rajonale?

Gëzim Visoka: Rreziku më i madh është nëse Donald Trumpi imponon një marrëveshje të paqes që nuk është në favor të Kosovës dhe gjendemi pa përkrahje evropiane dhe ndërkombëtare, dhe si  të tillë do të kemi kthim prapa në statusin e Kosovës. Nuk besoj që do të kemi një  rast të tillë, po nuk do  anashkaluar si  mundësi ose si  skenari i keq. Në anën tjetër, qeveria ose administrata e Trumpi-t ofron mundësi ideale për Kosovën nëse mund të përdorim lobimin ose lidhjet e afërta për t’u ofruar me të, për të futur Kosovën në NATO dhe  ndoshta për ta detyruar Serbinë ta njohë Kosovën. Nëse anëtarësohemi në NATO dhe kemi njohje nga Serbia, pastaj edhe nëse Rusia na vendos veton në OKB, Kosova mund të jetojë edhe pa qenë pjesë e OKB-ës. Kjo si e  tillë do të ndryshonte edhe kalkulimin e BE-së, sepse e dimë që është një farë parakushti që për të hyrë në BE duhet të jesh edhe në NATO, siç ka qenë trendi me Malin e Zi, me Maqedoninë, me Shqipërinë. Kështu që në këtë drejtim duhet të fokusohemi tek anëtarësimi në NATO dhe përdorimi i Trumpit për të siguruar njohje nga Serbia, ose të paktën një marrëveshje të paqes me Serbinë që largon nga tavolina ndarjen e Kosovës ose ndonjë autonomi të brendshme që do të ishte parakusht për ndarje eventuale ose për një Kosovë jo funksionale. Në këto dy drejtime, duhet të bëjmë kujdes. Tjerat pastaj janë çështjet të brendshme, për sa i përket ekonomisë, zhvillimit, edukimit dhe përballimit të sfidave globale, po sa i përket rreziqeve të jashtme, në këto dy drejtime duhet të jemi të kujdesshëm.


MË SHUME NGA Lajme