Takohen Begaj e Osmani: Së bashku drejt qëllimeve të përbashkëta
Valbona Thaçi / RTKLive
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani pas pjesëmarrjes në marshin “Drejtësi jo politik” ka pritur në takim Presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj.
Osmani ka thënë se 18-vjetori i Pavarësisë së Kosovës na bëri bashkë me Presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, në një atmosferë festive.
Presidentja Osmani ka falënderuar Begajn që është gjithë pranë Kosovës dhe qytetarëve të saj.
“Faleminderit që jeni gjithnjë pranë Kosovës dhe qytetarëve tanë, Zoti President!”.
Edhe Presidenti Begaj ka njoftuar për takimin miqësor me Presidenten Vjosa Osmani.
Begaj ka thënë se Shqipëria dhe Kosova të vendosura të forcojnë partneritetin strategjik për të ecur së bashku drejt qëllimeve të përbashkëta.
Ai ka theksuar se në këtë 18-vjetor të Pavarësisë, Kosova dëshmon pjekuri me vendosjen e stabilitetit politik dhe besnikëri ndaj miqve ndërkombëtarë, SHBA-së dhe BE-së.

Po ashtu Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, edhe përmes një letre ka uruar Presidenten Osmani në 18 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.
Presidenti Begaj ka përcjellë urimet e tij Presidentes Vjosa Osmani dhe qytetarëve të Kosovës, me rastin e 18 vjetorit të Ditës së Pavarësisë.
Në mesazhin e tij, ai ka thënë se Kosova është një realitet i pakundërshtueshëm dhe një partner i besueshëm, duke e cilësuar Kosovën si shembull inkurajues se si shqiptarët janë kontribuues aktivë për konsolidimin e paqes dhe begatisë së rajonit tonë e më gjerë.
Si dy shtete të një kombi, Presidenti Begaj ka shprehur mbështetjen në çdo hap të Kosovës dhe ka uruar begatinë dhe zhvillimin e mëtejshëm të vendit.























