Tërnava: Mesazhi i Ramazanit është paqja, pastron zemrën nga urrejtja
BKT
Lajme

Tërnava: Mesazhi i Ramazanit është paqja, pastron zemrën nga urrejtja

Kimete Kasumi/ RTKlive

Nesër (e enjte) fillon muaji i shenjtë i Ramazanit. Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), myftiu Naim Tërnava, ka dhënë mesazh urimi me rastin e fillimit të këtij muaji të bekuar.

Ai e ndërlidhi fillimin e Ramazanit me 17 Shkurtin – Ditën e Pavarësisë së Kosovës, duke theksuar rëndësinë e kësaj periudhe si në aspektin shpirtëror, ashtu edhe në atë kombëtar.

Në mesazhin drejtuar qytetarëve dhe besimtarëve, ai theksoi se Ramazani është muaji në të cilin zbriti Kurani, një periudhë e shenjtë reflektimi, pastrimi shpirtëror, solidariteti dhe afrimi me Zotin. Myftiu rikujtoi se ky muaj është udhëzim për zemrat dhe mëshirë për njerëzimin.

Ai nënvizoi se Ramazani është “shkollë e shpirtit”, ku besimtari forcohet në devotshmëri, durim dhe bujari, duke sjellë në vëmendje shembullin e Profetit Muhamed a.s., bujaria e të cilit arrinte kulmin gjatë këtij muaji.

Në fjalën e tij, myftiu theksoi harmoninë mes dashurisë ndaj fesë dhe dashurisë ndaj atdheut, duke kujtuar sakrificën historike që çoi në shpalljen e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008. Ai vlerësoi se besimi ka qenë gjithmonë burim frymëzimi për angazhim qytetar dhe kombëtar.

“Mesazhi i Ramazanit është paqja. Ai pastron zemrën nga urrejtja, ndalon fyerjen dhe e ngre respektin në themel të bashkëjetesës. Është thirrje për vetëpërmbajtje, vëllazëri dhe dashuri aktive, që sjell harmoni shoqërore. Nxitja e urrejtjes është mëkat i rëndë dhe tradhti ndaj frymës së këtij muaji. Ta ruajmë vëllazërinë dhe kombin tonë me zemër të pastër dhe vendosmëri që dashuria të triumfojë mbi çdo përçarje”, tha ai.

Myftiu përcolli urimet më të sinqerta për një Ramazan të begatë, duke lutur që ky muaj të sjellë bashkim në vlera, forcim të besimit dhe mirësi për gjithë popullin dhe Republikën e Kosovës.


MË SHUME NGA Lajme