Mbrojtja:Prokuroria s’ka prova, Rexhep Selimi duhet të shpallet i pafajshëm
Valbona Thaçi /RTKlive
Avokati mbrojtës i Rexhep Selimit, Geoffrey Roberts, deklaroi se Prokuroria nuk ka paraqitur asgjë thelbësore ndaj së cilës mbrojtja duhet të kundërpërgjigjet.
“Nuk ka asgjë në parashtrimet e Prokurorisë të cilave unë t’u kundërpërgjigjem. Pavarësisht që më keni dhënë dy orë e gjysmë për parashtrimet, Prokuroria me argumentet dhe me pretendimet e veta, në përgjigje të argumenteve tona, tha vetëm disa pika diskrete që ne i kemi trajtuar shumë më parë. Ta themi qartë se Prokurorisë vetë i vjen turp për argumentet e veta kundër zotit Selimi, nuk mund të dilet në asnjë përfundim tjetër nga parashtrimet e së hënës apo dosja e tyre me shkrim. Nëse vetë Prokuroria nuk është e bindur për argumentet kundër Selimit, si mund t’ju bindë ju”, tha Roberts.
Ai shtoi se, megjithatë, do të trajtojë disa pika që burojnë nga parashtrimet e Prokurorisë.
“Si do qoftë, dua të trajtoj disa pika diskrete që burojnë nga parashtrimet e Prokurorisë, jo sepse mendojmë që kanë vlerë argumentet e Prokurorisë, por sepse cenojnë vlerat themelore dhe tregojnë mangësi ligjore në argumentet e tyre. Pavarësisht parashtrimeve të hollësishme që kemi bërë në çdo aspekt të elementit të ndërmarrjes kriminale të përbashkët, që nga anëtarësia e pretenduar, objektivat në thelb, mjetet e pretenduara përmes të cilave realizohet ky objektiv, e vetmja gjë që tha Prokuroria është që prova lidhur me ngjarjet e përmendura në komunikata gjenden poshtë shënimit 62/06 të Prokurorisë. Në fakt, ky poshtëshënim thjesht përsërit pretendime në komunikata dhe nuk evidenton asnjë provë që t’i mbështesë këto pretendime apo që këto ngjarje kanë ndodhur në të vërtetë. Kjo nuk është provë bazë, por është thjesht përsëritje e pretendimeve në komunikata”, deklaroi ai.
Sipas Roberts, mungesa e dallimit mes pretendimeve dhe provave nga ana e Prokurorisë është shqetësuese.
“Paaftësia e Prokurorisë për të bërë dallimin mes pretendimeve dhe provave është po aq shqetësuese në këtë fazë të procesit gjyqësor sa është edhe befasuese. Madje, edhe paaftësia për të trajtuar pikat e tjera që janë ngritur në lidhje me NKP-në thekson mungesën e qartësisë dhe besimit që ka vetë Prokuroria në argumentet e veta”, tha Roberts.
Roberts, deklaroi se klienti i tij duhet të shpallet i pafajshëm, duke theksuar se një vendim tjetër nuk mund të arsyetohet mbi bazën e provave të paraqitura në këtë proces gjyqësor.
“Zoti Selimi duhet të shpallet i pafajshëm për të gjitha akuzat. Të lirohet menjëherë dhe të kthehet në Kosovë pranë familjes së tij. Asnjë vendim tjetër nuk mund të justifikohet në bazë të provave që janë paraqitur në këtë çështje gjyqësore”, tha Roberts.























