Veseli: Drejtësia mund të vonohet, por nuk mund të mohohet
BKT
Lajme

Veseli: Drejtësia mund të vonohet, por nuk mund të mohohet

Valbona Thaçi /RTKlive

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli i cili po përballet me akuza nga Dhomat e Specializura në Hagë në deklarimin e tij përfundimtar në kuadër të këtij procesi ka thënë se drejtësia, ndonëse mund të vonohet, nuk mund të mohohet. “Unë e di kush jam, çfarë kam bërë e çfarë nuk kam bërë… Veprimet e mia kanë qenë njerëzore dhe ligjore”, ka thënë ai.

Veseli ka theksuar se Gjykata duhet me çdo kusht ta mbrojë të vërtetën, drejtësinë dhe paanësinë.

“Kjo nuk është thjesht një detyrë ligjore, është kontributi i saj i madh dhe trashëgimia që do të mbetet prej kësaj gjykate. Ky është edhe shkaku që ju bashkova atyre mijëra grave dhe burrave që u rreshtuan në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për lirinë e Kosovës, dhe pse i kam shërbyer gjithë jetën time vendit tim që çdo qytetarë të gëzojë drejtësi dhe që bota ta njohë të vërtetën për kombin tonë. Edhe ne momentet më të errëta nuk e humba besimin se e vërteta do të triumfojë. Liria nuk mund të arrihet prej padrejtësisë. Familja ime dhe unë kemi jetuar në persekutim të vazhdueshëm. Unë e di çka do të thotë të jetosh në kërcënim të vazhdueshëm, kjo është një përvojë qe nuk do të ia dëshiroj askujt. Pas dekadash hetime dhe dokumentesh, nuk ka asnjë provë se kam kryer krime”, shtoi Veseli.

Veseli ka thënë se ka besuar gjithmonë se populli i Kosovës si çdo popull tjetër në botë kishte të drejtën e patjetërsueshme për të jetuar në liri dhe me dinjitet.

“Kam besuar se vuajtjet do të merrnin fund dhe se drejtësia do të vinte edhe nëse vjen me vonesë. Në të njëjtën kohë kurrë nuk kam besuar se dhuna, urrejtja, apo hakmarrja mund të jenë udhërrëfyes të ndershëm, ato shkatërrojnë shpirtin e një populli jo vetëm të viktimës. Urrejtja është vetëm një formë tjetër e robërisë, liria nuk mund të arrihet përmes padrejtësisë, as paqja nuk mund të ndërtohet mbi krim, një kauzë e drejtë nuk mund të mbrohet me mjete të padrejta. Ky nuk ka qenë vetëm një parim teorik për mua por një bindje e thellë morale që ka udhëhequr secilin veprim timin”, ka thënë Veseli.

Veseli: Populli ynë u privua prej mundësive më elementare për të jetuar

Në fjalën e tij përmbyllëse në Hagë, Veseli tha se pjesëmarrja e tij në luftë nuk ka lindur prej dëshirës për konflikt.

“Si njeri kam dëshiruar edhe unë një jetë të thjeshtë, të jetoja në vendin tim me dinjitet, në paqe me familjen time. Kam qenë student kur është shfuqizuar autonomia e Kosovës dhe universiteti u sulmua prej forcave serbe, kam marrë pjesë në aktivitetet paqësore për mbrojtjen e të drejtave tona themelore por të gjitha këto të drejta na janë mohuar. Autonomia e Kosovës u hoq, ne studentët u përjashtuam nga konviktet dhe fakultetet e profesorët tanë u përjashtuan të gjithë. Populli ynë u privua prej mundësive më elementare për të jetuar si qytetarë të lirë dhe të barabartë”, tha Veseli.

Ai tutje tha se e vërteta e asaj çfarë po ndodhte tashmë dihet botërisht.

“Serbia edhe Sllobodan Millosheviqi kërkonin kontrollin mbi të gjithë popujt e Jugosllavisë, kjo tendencë dërgoi pastaj në epokën e luftërave dhe urrejtjes të ish-Jugosllavisë që çoi drejt shkatërrimit edhe të vetë saj. Në fillim të viteve 1990 unë jam larguar nga Kosova, ka qenë një largim i detyruar por edhe një mundësi për një jetë më normale, për një të ardhme të ndërtuar mbi dije e përparim por derisa unë jetoja në një vend më të lirë vendi im po përjetonte vuajtje të thella në robëri. Gjendja në Kosovë u shndërrua në mohim dhe në përjashtim të shumicës. Pas marrëveshjes së Dejtonit shqiptarët në Kosovë si shumicë kanë mbetur krejt të përjashtuar, nuk mund të jetonin lirshëm por vetëm mbijetonin nën kanosje, kërcënim edhe represion”.

“Në 1998 unë isha në universitetin e Friburgut në Zvicër kur ndodhi masakra e Likoshanit, ishte një tragjedi e rëndë dhe mizori që nuk duhej të kishte ndodhur kurrë në Kosovë. Tragjedia në Prekaz me 5, 6, 7 mars 1998 nuk ka qenë një akt i izoluar por vazhdim i masakrave të kryera prej forcave serbe, akte të tilla terrori tejkaluan frikën normale të popullit të thjeshtë dhe drojën e intelektualëve dhe politikanëve në Kosovë”, tha Veseli.

Veseli: U ktheva sepse nuk mund të qëndroja indiferent ndaj vuajtjeve të popullit tim

Ai tutje tha se terrori dhe masakrat si ato në Srebrenicë kishin filluar të ndodhnin edhe në Kosovë, prandaj nuk mund të qëndronte indiferent, teksa populli i tij po përballej me shkatërrim.

“Për mua jeta kishte kuptim vetëm nëse populli im jetonte në liri, prandaj jam kthyer në Kosovë, jo si ushtar i trajnuar por si një individ ende në studime, jo me urrejtje, me bindje u ktheva sepse ndjeva detyrim moral ndaj vendit tim, u ktheva sepse nuk mund të qëndroja indiferent ndaj vuajtjeve të popullit tim. Synimi im ishte i qartë, të kontribuoja për lirinë dhe drejtësinë e popullit tim por mos t’i bëja askujt padrejtësi”, shtoi Veseli.

Tutje ai tha se në këta muajt e fundit në sallën e gjyqit ka parë se sa lehtë disa e nënvlerësojnë vështirësinë e një ndalimi të një konflikti dhe arritjes së paqes por, siç tha, historia na mëson se ata që vendosin paqe shpesh përballen me pasoja dhe duke e parë realitetin e sotëm kur bota ka aq shumë nevojë për paqe është e qartë se ajo nuk arrihet gjithmonë lehtë dhe për ta ruajtur atë shpeshherë është edhe më e vështirë.

“I nderuari trup gjykues krijimi i kësaj gjykate dhe funksionimi i saj deri më sot është një rezultat i një debati të gjerë në vendin tim por mbi të gjitha ajo që duhet të mbizotërojë prej saj është drejtësia dhe paanshmëria në gjykimin e të vërtetës dhe realitetit objektiv në të cilin kemi vepruar ne. Unë qëndroj në këtë proces me bindje dhe besim se e vërteta nuk ka arsye të ketë frikë nga drejtësia dhe se drejtësia mund të vonohet po nuk mohohet kurrë, kam vepruar me këtë bindje, kam jetuar me këtë bindje, sot këtu para jush qëndroj me këtë bindje dhe me siguri mund të them unë e di kush jam, unë e di çfarë kam bërë dhe çfarë nuk kam bërë, veprimet e mia kanë qenë njerëzore dhe ligjore, ndërgjegjja ime është e pastër, historia ime është transparente, tani çdo kush mund ta shohë atë edhe në këtë proces gjyqësor”, ka nënvizuar Veseli.

Veseli: Dua të besoj fuqishëm se në vendimin tuaj do të mbisundojë vetëm e vërteta, paanshmëria, drejtësia edhe ligji

Duke mbyllur fjalën e tij, Veseli tha se “me respekt për secilin në sallë edhe jashtë saj, edhe pse mund të mos pajtohemi duhet të theksoj ne të gjithë jemi qenie humane me prirje dhe mendime të ndikuara nga ata që na rrethojnë dhe ambienti ku jetojmë”.

“Besimi im tek e vërteta dhe drejtësia mbetet i palëkundur dhe dua të besoj fuqishëm se në vendimin tuaj do të mbisundojë vetëm e vërteta, paanshmëria, drejtësia edhe ligji. I nderuar trup gjykues duke qenë se dje ka qenë dita e pavarësisë së shtetit tim kam vetëm një përshëndetje në fund për të gjithë qytetarët e vendit tim. Urime pavarësia, ta gëzoni qytetarë të Republikës së Kosovës lirinë, Zoti e ndihmoftë Kosovën dhe njerëzit e saj të mirë. Në fund kam dëshirë të bëj edhe një përshëndetje të veçantë për familjen e një miku tim dhe mbrojtësin i cili sot nuk është në mesin tonë Endri Strong, në të njëjtën kohë dua të falënderoj edhe ekipin tim mbrojtës për profesionalizmin e tyre dhe sinqeritetin në mbrojtjen time. Ju faleminderit të gjithëve”.


MË SHUME NGA Lajme