Kurti takoi Sir Geoffrey Nice, biseduan për drejtësinë ndërkombëtare
BKT
Lajme

Kurti takoi Sir Geoffrey Nice, biseduan për drejtësinë ndërkombëtare

Shkelzen Çoçaj|RTKlive

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim juristin e njohur ndërkombëtarisht Sir Geoffrey Nice, i shoqëruar nga avokati Taulant Hodaj.

Qeveria ka njodruar se gjatë takimit, Sir Geoffrey Nice e uroi Kryeministrin për rizgjedhjen në detyrë, duke e përgëzuar për rezultatin bindës në zgjedhjet e 28 dhjetorit, si dhe për angazhimin e tij në forcimin e sundimit të ligjit dhe luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

"Sir Geoffrey Nice ka një karrierë të gjatë dhe të spikatur në fushën e së drejtës penale ndërkombëtare dhe së drejtës ndërkombëtare publike. Ai ka shërbyer si prokuror në Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, ku ka udhëhequr ndjekjen penale në rastin kundër Sllobodan Millosheviq. Përvoja e tij në trajtimin e krimeve ndërkombëtare, përgjegjësisë shtetërore dhe çështjeve komplekse juridike e ka bërë atë një nga emrat më të respektuar në këtë fushë", thuhet në njoftim.

Në takim, sipas njoftimit, u diskutua edhe bashkëpunimi i mëhershëm i Sir Geoffrey Nice me Qeverinë e Kosovës, si dhe një sërë temash që lidhen me të drejtën ndërkombëtare dhe funksionimin e Gjykata Speciale.

Kryeministri Kurti e informoi, Nicen për përpjekjet e deritanishme të Qeverisë së Kosovës për të mbështetur, në përputhje me kornizën ligjore, të akuzuarit para kësaj gjykate.

Sipas njoftimit, Sir Geoffrey Nice shprehu gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin me Qeverinë e Kosovës edhe në të ardhmen, në funksion të forcimit të pozicionit juridik të Kosovës në arenën ndërkombëtare.


MË SHUME NGA Lajme