Organizatat ndërkombëtare kërkojnë financim të drejtë për RTK-në
BKT
Lajme

Organizatat ndërkombëtare kërkojnë financim të drejtë për RTK-në

Sh.Çoçaj/RTKlive

Organizatat ndërkombëtare për lirinë e medias dhe të gazetarëve kanë shprehur shqetësim lidhur me nënfinancimin e Transmetuesit Publik të Kosovës, Radio Televizionit të Kosovës (RTK), dhe kanë bërë thirrje urgjente për përmbushjen e kërkesave ligjore për buxhetin e tij.

Kuvendi i Kosovës po diskuton aktualisht projektligjin për buxhetin e RTK-së për vitin 2026, që pritet të miratohet në dy lexime më 19 dhe 20 shkurt. Sipas propozimit të Qeverisë, RTK-së do t’i ndahen vetëm 8.9 milionë euro, një shumë që mjafton vetëm për nevojat bazike operacionale, si pagat e stafit.

Ligji për RTK-në parasheh që transmetuesit publik t’i dedikohen 0.7% e buxhetit total të shtetit, i cili është mbi 3 miliardë euro, që do të thotë se RTK-së duhet t’i jepen rreth 22 milionë euro. Nëse miratohet buxheti i propozuar, RTK-ja do të marrë vetëm 40% të shumës së parashikuar me ligj.

Organizatat paralajmërojnë se një mungesë financimi e tillë do ta minonte aftësinë e RTK-së për të funksionuar në mënyrë të pavarur dhe për të përmbushur misionin e tij për informimin e qytetarëve. Financimi i duhur sipas ligjit do të mundësonte gjithashtu investime dhe zhvillim të transmetuesit publik.

Neni 5 i Aktit Evropian për Lirinë e Medias (EMFA) kërkon financim të qëndrueshëm për mediat e shërbimit publik, për të garantuar pavarësi funksionale dhe redaksionale. Sistemi buxhetor i propozuar bie ndesh me këtë standard dhe me kornizën ligjore ekzistuese.

Organizatat i bëjnë thirrje Kryeministrit Albin Kurti dhe Kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, që të sigurojnë buxhetin adekuat dhe të drejtë për RTK-në, duke shmangur presionin politik dhe duke garantuar pavarësinë e transmetuesit publik.


MË SHUME NGA Lajme