Bunjaku nderohet me çmimin `European Shooting Star` në Berlinale
Kimete Kasumi/ RTKlive
Aktorja shqiptare nga Kosova, Fatlume Bunjaku, është shpallur fituese e çmimit prestigjioz European Shooting Stars në kuadër të Berlinale, duke shënuar një arritje të rëndësishme për kinematografinë shqiptare dhe atë ballkanike në arenën ndërkombëtare.
Ky program, i organizuar çdo vit nga European Film Promotion në bashkëpunim me Berlinalen, konsiderohet një nga platformat më prestigjioze për promovimin e aktorëve evropianë që pritet të kenë një karrierë të suksesshme ndërkombëtare.
Juria e këtij edicioni përbëhej nga emra të njohur të botës së filmit, përfshirë regjisorin fitues të Oscar-it Danis Tanović, aktoren Danica Ćurčić, kritiken e filmit Leila Latif, regjisoren Jo Monteiro dhe producentin Jacques-Henri Bronckart. Sipas vlerësimit të tyre, Bunjaku lë një gjurmë të pashlyeshme te shikuesi, duke shfaqur një prezencë të fuqishme në ekran dhe një thellësi emocionale mbresëlënëse. Juria u shpreh e emocionuar për të parë zhvillimin e mëtejshëm të karrierës së saj, duke e konsideruar atë një talent me potencial të jashtëzakonshëm.
Prania e Fatlume Bunjakut si “Shooting Star” në Berlinale u cilësua nga kritikët si një moment i rrallë jo vetëm për Kosovën dhe Shqipërinë, por për gjithë rajonin e Ballkanit.
Në fjalimin e saj gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve, ajo bëri thirrje që industria globale e filmit të kthejë vëmendjen drejt kineastëve të Ballkanit, duke theksuar se rajoni ka potencial të madh në aktrim dhe në kinematografi në përgjithësi, ndërsa ajo që nevojitet janë më shumë mundësi, bashkëpunime dhe mirënjohje si kjo e European Shooting Stars.
Bunjaku është nominuar në këtë program me filmin Hana, me regji nga Ujkan Hysaj, ku ajo interpreton rolin suportues të Mrikës. Nominimi është bërë nga Qendra Kombëtare e Filmit të Shqipërisë, nën drejtimin e Jonid Jorgji, duke i hapur asaj rrugë një prezantimi dinjitoz në një nga skenat më të rëndësishme të kinematografisë botërore. Ky vlerësim shënon një kapitull të ri në karrierën e saj dhe një moment krenarie për artin shqiptar në nivel evropian dhe global.
























