Librin për fëmijë “Eksploruesit e vegjël...” autorja e prezanton në RTK
Shqipe Gashi|RTKlive
Në programin e mëngjesit në RTK, ishte e ftuar autorja e librit më të ri për fëmijë “Ekploruesit e vegjël, zbulo trashëgiminë kulturore të Kosovës”, Zana L. Sokoli. Ajo foli për përmbajtjen dhe misionin e këtij botimi, i cili synon t’i afrojë fëmijët me trashëgiminë kulturore të vendit në mënyrë të thjeshtë dhe tërheqëse.
Duke treguar për motivimin e saj për të punuar me fëmijë, Sokoli theksoi rëndësinë e edukimit të hershëm dhe mbjelljes së dashurisë për vendin që në fëmijëri.
“Unë dëshirën që të punoj me fëmijë e kam pasur gjithmonë, edhe pse me profesion jam arkitekte, punën me fëmijë s’e kam lënë anash asnjëherë, sepse mendoj që ndryshimi, dmth mbjellja e dashurisë, dëshirës për ta dashur vendin dhe për të punuar për të, fillon prej fëmijërisë. Nëse këtë s’e bëjmë nga fillimi, atëherë është problem që kur të rritemi të jemi të përgjegjshëm, kur nuk e kuptojmë saktë vendin prej ku vijmë, kush kemi qenë e çfarë kemi kaluar”, tha ajo.
Sokoli foli edhe për mungesën e librave që trajtojnë trashëgiminë kulturore të Kosovës në mënyrë të përshtatshme për fëmijë, duke theksuar nevojën për përmbajtje vendore që flet me gjuhën e tyre dhe i mban të angazhuar.
“Në treg ka shumë libra të mirë për fëmijë e ilustrues të autorëve të huaj, por unë po e vërej këtë tendencën që ilustrimi gjithmonë të jetë më i bukur, më i prekshëm, që është mirë për fëmijën në aspektet e ndjeshmërisë dhe dizajnit, por edhe me bisedat që i kam bërë me librari të ndryshme ka munguar diçka në treg, diçka që flet për trashëgiminë kulturore të Kosovës, u flet fëmijëve në një gjuhë që ata e kuptojnë, një vizualizim që për ta është i këndshëm dhe i bën ata që mos ta lëshojnë librin nga dora”, tha ajo
Duke përshkruar konkretisht librin, autorja tha se ai është konceptuar si një udhëtim dhe eksplorim nëpër vende të ndryshme të Kosovës, duke përfshirë qytete, fshatra dhe hapësira me vlera arkitektonike, arkeologjike e industriale. Libri përmban edhe hapësira kuizi, për t’i nxitur fëmijët të reflektojnë mbi atë që kanë mësuar.
“Libri ‘Ekploruesit e vegjël, zbulo trashëgiminë kulturore të Kosovës’ është shëtitje, është eksplorim nëpër vende të ndryshme të Kosovës, nëpër shumë qytete e nëpër shumë fshatra, në vende që ka trashëgimi arkitektonike, arkeologjike, industriale. Aty ka edhe hapësira kuizi që të shohin sa kanë mbajtur në mend dhe shumë çka tjetër”, tha autorja e librit.























