Rubio falënderon presidenten Osmani për angazhimin në paqe dhe stabilitet
BKT
Në Fokus

Rubio falënderon presidenten Osmani për angazhimin në paqe dhe stabilitet

Blerim Halimi/RTKlive

Sekretari i Shtetit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Marco Rubio, ka vlerësuar rolin dhe kontributin e presidentes Vjosa Osmani dhe të popullit të Kosovës në promovimin e paqes dhe stabilitetit ndërkombëtar.

Përmes një postimi në platformën X, Rubio bëri të ditur se është takuar me presidenten Osmani, të cilën e ka falënderuar për përkushtimin e Kosovës si anëtare themeluese e Bordit të Paqes.

“U takova me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe e falënderova atë dhe popullin e Kosovës për përkushtimin ndaj paqes dhe stabilitetit, duke qenë anëtar themelues i Bordit të Paqes. Gjithashtu e falënderova presidenten Osmani për kontributin e saj në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit në Gaza”, ka shkruar Rubio.

Ndërkaq në njoftimin e Departamentit të Shtetit është theksuar se Osmani është partnere e dedikuar e SHBA-së në Ballkanin Perëndimor dhe se “SHBA-ja pret të punojë me qeverinë e re të Kosovës për të shtyrë përpara agjendën e përbashkët për paqe rajonale, stabilitet e përparim ekonomik”.

Më herët për këtë takim ka shkruar edhe presidentja Osmani, e cila ka theksuar se kanë diskutuar për mundësitë e forcimit të aleancës.

“Diskutuam për rëndësinë e madhe të anëtarësimit të Kosovës në NATO, si dhe për hapjen e kapitujve të ri të bashkëpunimit në ekonomi e mbrojtje, si pjesë e partneritetit tonë strategjik. Krah për krah me Shtetet e Bashkuara, mbetemi të përkushtuar ndaj forcimit të paqes dhe sigurisë, adresimit të sfidave të përbashkëta globale dhe avancimit drejt integrimit euroatlantik të Kosovës”, ka theksuar Osmani.


MË SHUME NGA Në Fokus