Gjakovë, kërkohet paraburgim ndaj të pandehurit për fajde
M.Shefkiu
Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti i Përgjithshëm, njofton se ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të pandehurit me inicialet M.I., për veprën penale “Fajdeja”. Kërkesa është parashtruar në Gjykatën Themelore Gjakovë – Dega Rahovec, pas marrjes së Aktvendimit për fillimin e hetimeve.
Sipas Prokurorisë, ekziston dyshim i bazuar se M.I., që nga qershori i vitit 2024 dhe në vazhdimësi në Rahovec, ka dhënë borxh ndaj H.F., duke kontraktuar një shumë dukshëm jo proporcionale të pasurisë dhe duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të tij. I dëmtuari kishte marrë një shumë prej 7,000 eurosh dhe kishte paguar çdo muaj këst prej 700 eurosh, me afat më së largu deri më 21 shkurt 2026.
Deri në fillim të hetimeve, H.F. kishte paguar kamatë me fajde në vlerë prej 14,000 eurosh. Më 21 shkurt 2026, i pandehuri është arrestuar nga policia gjatë realizimit të masave të veçanta hetimore, duke pranuar 700 euro nga i dëmtuari.
Prokuroria thekson se këto veprime përbëjnë veprën penale “Fajdeja”, sipas nenit 331 paragrafi 2 lidhur me paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Që nga 21 shkurt 2026, me vendim të Prokurorit të Shtetit, M.I. gjendet nën masën e ndalimit 48-orësh për këtë vepër penale. Hetimet vazhdojnë për sqarimin e plotë të rrethanave dhe përgjegjësive të të pandehurit.























