Dita e Gjuhës Amtare shënohet me diskutim për leximet shkollore në “Libart”
BKT
Kulturë

Dita e Gjuhës Amtare shënohet me diskutim për leximet shkollore në “Libart”

Shqipe Gashi|RTKlive

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, në qendrën “Libart” organizohet një tryezë diskutimi me temën “Flasim për leximet shkollore”.

Kjo ngjarje është një reflektim mbi rolin e leximit dhe vendin që zënë lektyrat shkollore në formimin e brezave të rinj, duke sjell zëra nga fusha e studimeve letrare, kërkimit arsimor dhe angazhimit kulturor, për të trajtuar një nga çështjet më të ndjeshme të sistemit tonë arsimor: a po e kultivojnë lektyrat dashurinë për librin, apo po prodhojnë efekt të kundërt?

Përmes perspektivave akademike dhe shoqërore, do të diskutohet mbi cilësinë letrare dhe pedagogjike të lektyrave, formalizmin e listave të përsëritura ndër vite, raportin e nxënësve me librin në epokën digjitale, si dhe mbi nevojën për të ruajtur dhe forcuar identitetin gjuhësor e kulturor përmes leximit të mirëfilltë.

Diskutimi synon të trajtojë tensionin ndërmjet domosdoshmërisë së leximit për formimin personal dhe qytetar, dhe realitetit ku shumë nxënës e përjetojnë leximin si detyrim formal.

A mund të reformohen lektyrat në mënyrë që të zgjojnë interes, mendim kritik dhe lidhje të gjallë me gjuhën shqipe?

Ngjarja fillon nga ora 14:00 – 15:30, në qendrën “Libart”, ndërtesa e bibliotekës “Hivzi Sulejmani” në lagjen “Dardania”.


MË SHUME NGA Kulturë