Formula e Norvegjisë për të prodhuar kampionë olimpik
Trendeline Bucolli|RTK-Radio
Siç ka thënë bendi legjendar Pink Floyd: “Leave them kids alone.” Filozofia e Norvegjisë për sportin dhe fëmijët bazohet në idenë që sporti duhet të jetë argëtues, i çasshëm dhe i përqendruar tek fëmijët, jo te rezultatet në renditje.
Norvegjia, një vend me pak më shumë se 5 milionë banorë, dominon vazhdimisht Lojërat Olimpike Dimërore, madje kryesoi edhe tabelën e medaljeve në Beijing 2022 Winter Olympics. Edhe pse është një shtet i vogël, Norvegjia arrin të fitojë më shumë medalje se shumë vende më të mëdha.
Në Lojërat Olmpike Dimërore Milano Cortina, Norvegjia u kthye në shtëpi me plot 18 medalje të arta, 12 të argjendta dhe 11 të bronzta, duke u bërë vendi më i suksesshëm pjesëmarrës në “Milano Cortina 2026”.
Konsistenca e jashtëzakonshme e Norvegjisë në Lojërat Olimpike Dimërore buron nga një kulturë disa dekadëshe, që vendos lumturinë e fëmijëve, qasjen e barabartë në sport dhe përvojën e tyre para rezultateve të shpejta, ka thënë kreu i delegacionit të Norevegjisë Tore Oevreboe.
Filozofia e Norvegjisë për sportin dhe fëmijët bazohet në idenë që sporti duhet të jetë argëtues, i çasshëm dhe i përqendruar tek fëmijët, jo te rezultatet në renditje. Udhëheqësit sportivë theksojnë rëndësinë e lumturisë së fëmijëve, barazisë në pjesëmarrje dhe zhvillimit afatgjatë, në vend të specializimit të hershëm apo presionit për të fituar, dhe për të qenë të parët.
Fëmijët, sidomos në mosha më të hershme, inkurajohen të provojnë disa sporte, të shijojnë aktivitetin fizik dhe të zhvillojnë aftësi sociale pa theks të madh te renditjet apo rezultatet e shpejta.
“Ne e dimë që duhet të kemi sukses në çdo garë ku marrim pjesë,” tha Oevreboe, duke theksuar se Norvegjia nuk e merr suksesin si të mirëqenë. “Por, përpiqemi të qëndrojmë shumë të qetë dhe modestë… dhe i respektojmë shumë kundërshtarët tanë.”, tha Oevreboe për Reuters. Nuk është e lehtë të them se cili është sekreti, por mund të them se ka të bëjë me mënyren se si ne e organizojmë shoqërinë tonë, tha ai.
Kjo filozofi reflektohet në gjithë sistemin sportiv të Norvegjisë, ku bashkëpunimi, përfshirja e komunitetit dhe kostot e përballueshme mbështesin pjesëmarrjen e gjerë.
Edhe në sportet dimërore të kushtueshme, Oevreboe tha se Norvegjia përpiqet ta bëjë pjesëmarrjen të mundur për të gjitha familjet.
“Kemi një treg shumë të madh të pajisjeve të përdorura,” tha ai. “Shumë prej sportistëve që arrijnë këtu dhe janë mjaft të mirë, gjatë viteve të tyre të rinisë kanë përdorur pajisje të përdorura.”
Duke vendosur kënaqësinë dhe përfshirjen në qendër që në moshë të vogël, Norvegjia synon të krijojë sportistë të qëndrueshëm dhe të balancuar, të cilët qëndrojnë më gjatë në sport dhe kontribuojnë si në sukseset olimpike, ashtu edhe në një fëmijëri më të shëndetshme dhe më të lumtur.























