Kurti rithekson mbështetjen e Kosovës për Ukrainën në përvjetorin e luftës
BKT
Lajme

Kurti rithekson mbështetjen e Kosovës për Ukrainën në përvjetorin e luftës

Gentiana Kelmendi/RTKlive

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ritheksuar mbështetjen e Kosovës për Ukrainën në përvjetorin e luftës, duke pritur në Kryeministri gra ukrainase të trajnuara për deminim dhe gazetarë që qëndrojnë në Kosovë në kuadër të programit JiR, ndërsa ka theksuar solidaritetin dhe empatinë e vazhdueshme ndaj popullit ukrainas.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Kosova u ngrit nga hiri i luftës për t’u bërë një vend sovran, demokratik dhe i sigurt, sepse populli refuzoi të dorëzohej, duke theksuar se të njëjtën forcë e sheh sot në Ukrainë.

Në shënim të përvjetorit të luftës në Ukrainë, Kurti ka pritur në zyrën e Kryeministrisë gra nga Ukraina që morën pjesë në trajnimin e organizuar për deminim dhe pastrim të mjeteve shpërthyese. Pjesë e takimit ishin edhe gazetarë nga Ukraina që jetojnë dhe veprojnë në Kosovë në kuadër të programit JiR, të mbështetur nga Qeveria e Kosovës.

Ai theksoi se edhe pas katër viteve të përpjekjes së Rusisë për të pushtuar Ukrainën, Kosova qëndron pranë popullit ukrainas me empati dhe solidaritet.

"Qytetarët e Kosovës e njohin dhimbjen e dëbimit dhe humbjes, por gjithashtu e dimë se vendet mund të rindërtohen, të shërohen dhe të dalin më të forta. Besojmë se edhe Ukraina do ta bëjë të njëjtën gjë", ka shkruar Kurti në Facebook. 


MË SHUME NGA Lajme