Kryeziu takim me Odën e Avokatëve në Prizren, flasin për sfidat
BKT
Lajme

Kryeziu takim me Odën e Avokatëve në Prizren, flasin për sfidat

Valmira Saraçi|RTKlive

Çështje të rëndësishme që ndërlidhen me funksionimin e sistemit të drejtësisë, sfidat në punën e përditshme të prokurorëve dhe avokatëve, si dhe nevoja për koordinim dhe komunikim të vazhdueshëm ndërinstitucional kanë qenë temë e takimit që ka pasur kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, me përfaqësues të Odës Regjionale së Avokatëve në Prizren.

“Palët shkëmbyen mendime lidhur me identifikimin dhe zgjidhjen e problemeve të hasura në praktikën e përditshme profesionale, me theks të veçantë në rritjen e efikasitetit dhe avancimin e bashkëpunimit profesional”, thuhet në njoftimin e prokurorisë nga kjo komunë.

Në këtë takim kryeprokurori Kryeziu ka theksuar se bashkëpunimi korrekt dhe profesional ndërmjet Prokurorisë dhe avokatëve është thelbësor për garantimin e një procesi të rregullt ligjor, rritjen e efikasitetit dhe forcimin e besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë.

“Nga ana e tyre, përfaqësuesit e Odës Regjionale të Avokatëve të Prizrenit shprehën gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit dhe për adresimin e përbashkët të sfidave me qëllim të përmirësimit të funksionimit të sistemit të drejtësisë”, thuhet tutje në njoftim.

Bëhet e ditur se palët u dakorduan që komunikimi dhe takimet të tilla të vazhdojnë edhe në të ardhmen, në funksion të forcimit të partneritetit institucional dhe profesional.


MË SHUME NGA Lajme