Spiropali: BE të vendosë pa vonesë dhënien e statusit kandidat për Kosovën
BKT
Lajme

Spiropali: BE të vendosë pa vonesë dhënien e statusit kandidat për Kosovën

Valmira Saraçi|RTKlive

Kryediplomatja shqiptare, Elisa Spiropali ka thënë se në takim me presidenten, Vjosa Osmani, rikonfirmoi mbështetjen e Shqipërisë për integrimin euroatlantik të Kosovës.

Ajo ka shpërndarë video nga pritja në zyrën presidenciale.

“Pritja nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me vlerësimin për angazhimin e saj në forcimin e marrëdhënieve të Kosovës me komunitetin ndërkombëtar, në veçanti me partnerët strategjikë, SHBA-në dhe vendet e BE-së. Rikonfirmova mbështetjen e Shqipërisë për integrimin euroatlantik të Kosovës”, ka shkruar Spiropali.

Ajo ka thënë se është momenti që BE t’i jap Kosovës statusin e kandidatit.

“Pas vendimit për heqjen e masave kufizuese, është momenti që BE të vendosë pa vonesë dhënien e statusit kandidat për Kosovën”, ka shkruar ajo.

Shefja e diplomacisë shqiptare ka ripërsëritur se Shqipëria mbetet e palëkundur në mbështetjen aktive për subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës. “Dhe do të vijojë angazhimin diplomatik për anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare dhe avancimin drejt BE-së e NATO-s”, shkroi ajo.

Spiropali: Kosova prioritet absolut i politikës së jashtme të Shqipërisë

Shqipe Gashi|RTKlive

11:10 / 25.02.2026
Ministrja për Evropën dhe Punë të Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka deklaruar se Kosova mbetet prioritet absolut i politikës së jashtme shqiptare, gjatë konferencës për media pas takimit me ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca. Spiropali po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë.

Ajo e cilësoi vizitën si një moment të rëndësishëm, duke theksuar se është një nder dhe përgjegjësi që vizita e saj e parë si ministre për Evropën dhe Punë të Jashtme të zhvillohet në Prishtinë, menjëherë pas formimit të qeverisë së re të Kosovës.

“Ishte një nder i veçantë dhe një përgjegjësi e thellë që vizitën time të parë si ministre për Evropën dhe Punë të Jashtme ta bëj këtu në Prishtinë, menjëherë pas formimit të qeverisë së re, të cilës i uroj shumë suksese në konsolidimin e institucioneve demokratike, në forcimin e shtetit të Kosovës dhe në mirëqenien e qytetarëve të saj”, tha Spiropali.

Spiropali: Për ne Kosova nuk është zgjedhje protokolli, është zgjedhje historie

Ajo shtoi se kjo vizitë vjen pas vizitave të fundit në Kosovë të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe presidentit Bajram Begaj, duke e cilësuar këtë si dëshmi të qartë të prioritetit që Shqipëria i jep Kosovës.

“Për ne Kosova nuk është një zgjedhje protokolli, është një zgjedhje historie, është zgjedhje politike, është deklarim i qartë se ku qëndron prioriteti ynë kombëtar”, u shpreh ajo.

Spiropali theksoi se marrëdhëniet mes dy vendeve nuk janë thjesht kapitull i zakonshëm i diplomacisë, por vijimësi e një rrugëtimi të përbashkët të skalitur në sakrificë, në qëndresë dhe në vendosmëri historike për përparim kombëtar.

“Viti 1999 ishte momenti kur bota pa padrejtësinë, por pa edhe dinjitetin e një populli që kërkonte të jetonte i lirë. Viti 2008 ishte momenti kur Kosova e ktheu aspiratën në shtetësi dhe fitoi vendin e saj në hartën e botës. Viti 2026 duhet jetë momenti i konsolidimit të plotë të subjektivitetit të saj ndërkombëtar dhe i mbylljes përfundimtare të çdo paqartësie historike për vendin e saj në Evropë. Ne nuk ndërtojmë një marrëdhënie nga e para, sigurisht, ne po forcojmë një bosht kombëtar, një aleancë të natyrshme mes dy shteteve sovrane me dy republikave motër, mes dy shteteve që kanë një marrëdhënie vëllazërore me njëri-tjetrin, që ndajnë histori, identitet, sakrificë dhe një vizion të përbashkët për të ardhmen”, nënvizoi Spiropali.

Spiropali: Forcimi i subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, interes kombëtar 

Ajo shtoi se Shqipëria do të intensifikojë angazhimin diplomatik për të mbështetur Kosovën në procesin e njohjeve të reja dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

“Të dy qeveritë tona prej kohësh kanë zgjedhur një politikë bërje të bazuar te realiteti. Realiteti i një kohe, realiteti i një populli, realiteti i një shteti që ekziston, që funksionon dhe që nuk është objekt debati, por subjekt i të drejtës ndërkombëtare. Kosova është prioritet absolut i politikës të jashtme e Shqipërisë, por e lidhur shumë ngushtë me gjitha zhvillimet e brendshme në Shqipëri dhe në Kosovë. Kjo nuk është retorikë solidariteti dhe as formulë diplomatike, është orientim strategjik i qëndrueshëm shtetëror. Forcimi i subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës është interes kombëtar i drejtpërdrejt i Shqipërisë, përveçse është dëshirë e jonë e zemrës. Çdo njohje e re, çdo anëtarësim i ri, çdo hap drejt konsolidimit ndërkombëtar të Kosovës është investim në sigurinë, në dinjitetin, në stabilitetin e të gjithë hapësirës tonë shqiptare, por edhe të rajonit. Shqipëria do të intensifikojë angazhimin diplomatik”, tha Spiropali.

Ajo tha se Shqipëria do të intensifikojë angazhimin diplomatik, në koordinim të vazhdueshëm, së bashku krahë për krah, edhe për përparimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

“Shembull i bashkëpunimit për anëtarësimin në Këshillin e Evropës është një dëshmi e qartë se si mund të punojmë  së bashku dhe me efikasitet, dhe ai anëtarësim, siç e thamë  edhe në takim, jo që po kërkohet prej nesh por sepse meritohet nga shtetit i Kosovës. Barazia ndërkombëtare e Kosovës nuk është çështje simpatie por çështje drejtësie, respekti për realitetin politik  të krijuar me sakrificë dhe punë çdo ditë”, tha Spiropali.

Spiropali: Kosova meriton statusin e vendit kandidat pa standarde të dyfishta 

Sipas saj, integrimi evropian i Kosovës është testi i koherencës që vet Bashkimi Evropian është me vlerat që ai i përfaqëson.

“Kosova ka dëshmuar qartësi euro – atlantike, përkushtim ndaj reformave  dhe stabilitet institucional,  e ky përkushtim duhet të përkthehet në  vendime konkrete.  Sigurisht heqja e masave shtrënguese ishte pa diskutim një domosdoshmëri  dhe ne e kemi bërë të qartë se masat shtrënguese kundër Kosovës  ishin kundërproduktive dhe besoj që tani ka ardhur koha që ta themi me plotë gojën që Kosova e meriton statusin e vendit kandidat pa standarde të dyfishta dhe pritje të pafundme”, tha Spiropali.

Ajo po ashtu paralajmëroi se brenda vitit 2026 do të ketë një takim të përbashkët ndërmjet dy qeverive.

“Biseduam edhe për takimin e përbashkët të dy qeverive dhe besojmë fort që ka ardhur koha që brenda vitit 2026 të mbajmë një takim të përbashkët në Shqipëri ose Kosovë, ku do të diskutohen të gjitha marrëveshjet e nënshkruara deri më tani, por edhe mundësitë për marrëveshje të reja”, theksoi ajo.

Spiropali: Do ta ngremë zërin në çdo forum për ish-krerët e UÇK-së

E pyetur nga gazetarët nëse Shqipëria po bën më shumë se sa Kosova në mbrojtjen e të drejtave të ish-krerëve të UÇK-së, që po gjykohen në Dhomat e Specializuara në Hagë.

“Sot në Hagë përballen me drejtësinë udhëheqësit e UÇK-së, ata përfaqësojnë lirinë. E vërteta historike nuk është në gjyq. Ne kërkojmë drejtësi. Dhe kjo është përgjegjësi ndaj historisë. Ne nuk jemi në garë se kush apo cili i ka mbrojtur më shumë të drejtat, por jemi pa diskutim në një test të koordinimit  tonë sa i takon jo vetëm drejtësisë ndërkombëtare në Hagë por edhe qëndrimit tonë kombëtar mbi luftën e UÇK-së, mbi legjitimitetin e asaj lufte dhe mbi të drejtën e këtij populli për të mbrojtur me forcë të drejtën ndërkombëtare në nivelet më të larta. Këtë e kemi bërë, këtë do ta bëjmë dhe urojmë shumë që gjykatësit në Hagë t’i përgjigjen thirrjes së drejtësisë dhe jo thirrjes së prokurorëve, të cilët, ne gjykojmë në këtë fazë por dhe vijimësisht duke ndjekur procesin e gjykimit në Hagë, nuk kanë bërë drejtësi”, tha ajo.

Spiropali ka thënë se besojnë te drejtësia dhe se do të marrin çdo masë të mundshme për ta ngritur zërin kudo në çdo institucion e çdo forum, siç tha, ashtu siç bëri kryeministri Rama në Bordin e Paqes e kudo tjetër.


MË SHUME NGA Lajme