Reali ‘rrëzon’ Benficën, kualifikohet edhe PSG
BKT
Sport

Reali ‘rrëzon’ Benficën, kualifikohet edhe PSG

Fatmir Bytyqi/RTKLive

(E përditësuar, 23:03) Real Madrid ka siguruar kualifikimin në 1/8 e finales së Ligës së Kampionëve, pasi mposhti Benficën edhe në ndeshjen kthyese të fazës së play-off-it.

‘Los Blancos’ triumfuan me rezultat 2-1 në “Bernabeu”, duke vulosur kalimin tutje me rezultat të përgjithshëm 3-1.

Skuadra portugeze e nisi më mirë takimin dhe kaloi në epërsi në minutën e 14-të me golin e Rafa Silvës, për 0-1. Megjithatë, reagimi i madrilenëve ishte i menjëhershëm, pasi Aurelien Tchouameni barazoi shifrat në 1-1 vetëm dy minuta më vonë, rezultat me të cilin u mbyll pjesa e parë.

Në fraksionin e dytë, madrilenët kontrolluan më mirë lojën, ndërsa goli i fitores erdhi në minutën e 80-të, kur Vinicius Junior realizoi për 2-1, duke i dhënë fund dilemave rreth fituesit të këtij dueli.

Me këtë rezultat, Real Madrid avancon në rundin tjetër të garës elitare evropiane, ndërsa Benfica, e drejtuar nga Jose Mourinho, e përfundon këtu aventurën në Evropë për këtë sezon.

Kualifikimin në mesin e 16 më të mirave e ka siguruar edhe Paris Saint-Germain, që në sfidën kthyese barazoi 2-2 ndaj Monaco, por me rezultat të përgjithshëm 5-4 kalon në fazën tjetër të Ligës së Kampionëve.

Ndërkohë, përballja mes Juventus dhe Galatasaray ka shkuar në vazhdime. Ndeshja në kohën e rregullt përfundoi me fitoren 3-0 të torinezëve, të cilët arritën të përmbysin disavantazhin nga takimi i parë. Skuadra që do të sigurojë kualifikimin do të përcaktohet në vazhdime ose përmes penalltive.

Shënon Vinicius, Reali në epërsi ndaj Benficës

(E përditësuar, 22:45) Real Madridi është afër kualifikimit në rundin tjetër të Ligës së Kampionëve pasi tashmë ka shënuar edhe golin e dytë kundër Benfica-s.

‘Los Blancos’ dhe skuadra portugeze po përballen në ‘Bernabeu’, në duelin kthyese të fazës së play-off-it në Ligën e Kampionëve.

Është sulmuesi Vincius, i cili në minutën e 80-të realizoi gol për rezultatin 2-1.

Dy gola të shpejta në duelin Real-Benfica

(E përditësuar, 21:20) Dy gola të shpejta kanë ardhur në ndeshjen Real Madrid-Benfica.

‘Los Blancos’ dhe skuadra portugeze po përballen në ‘Bernabeu’, në duelin kthyese të fazës së play-off-it në Ligën e Kampionëve.

Fillimisht Benfica e ka shtangur Real Madridin duke kaluar në epërsi prej 1-0.

Ishte Rafa Silva, i cili në minutën e 14-të heshti Madridin duke kaluar në avantazh skuadrën portugeze prej 1-0.

Mirëpo, gëzimi i skuadrës mysafire ishte i shkurtër pasi Touchameni (16’), barazoi shifrat në 1-1.

Nis superpërballja Real-Benfica, LIVE në RTK

Ka startuar superpërballja mes Real Madridit dhe Benfica-s, ndeshje që mund ta ndiqni në RTK.

‘Los Blancos’ dhe skuadra portugeze po përballen në ‘Bernabeu’, në duelin kthyese të fazës së play-off-it në Ligën e Kampionëve.

Madrilenët hyjnë në këtë ndeshje me epërsinë prej 1-0, të arritur një javë më parë në Lisbonë, megjithatë të besuarit e Jose Mourinhos në ‘Bernabeu’ do të zbresin me synim përmbysjen e rezultatit të duelit të parë.