Spiropali takon komandantin e KFOR, diskutohet siguria në rajon
BKT
Lajme

Spiropali takon komandantin e KFOR, diskutohet siguria në rajon

Kaltrina Rexhepi/RTK

Komandanti i KFOR-it Ozkan Ulutash priti në selinë në Prishtinë, ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Elisa Spiropali ku diskutuan për situatën e sigurisë në rajon dhe rolin e trupave shqiptare në kuadër të misionit paqeruajtës.

Sipas njoftimit të KFOR-it në Facebook, takimi u përqendrua në situatën e sigurisë në rajon dhe në angazhimin e vazhdueshëm të KFOR-it për të mbajtur një ambient të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit në Kosovë.

Në këtë njoftim, gjenerali Ulutaş gjithashtu shprehu mirënjohjen e tij të sinqertë për kontributin e vlefshëm të Shqipërisë në misionin e KFOR-it.

Edhe ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Elisa Spiropali, njoftoi për zhvillimin e këtij takimi. Ajo theksoi se, përveç takimit me gjeneralin Ulutash ka zhvilluar edhe një takim me trupën e forcave shqiptare që kontribuojnë për sigurinë dhe stabilitetin në terren me nder e sakrificë.

“Falënderova trupat tona për profesionalizmin e lartë të treguar. Shqipëria mbetet e përkushtuar për të mbështetur plotësisht misionin e KFOR-it në garantimin e sigurisë së Kosovës, e cila është thelbësore për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit dhe më gjerë”, thuhet në postimin e saj. 


MË SHUME NGA Lajme